Promovohet libri i Donika Dabishevcit, ‘E gjithkohshmja andërr’ që flet për luftën dhe pasojat e saj - Gazeta Express
string(97) "promovohet-libri-i-donika-dabishevcit-e-gjithkohshmja-anderr-qe-flet-per-luften-dhe-pasojat-e-saj"

Promovohet libri i Donika Dabishevcit, ‘E gjithkohshmja andërr’ që flet për luftën dhe pasojat e saj

Arte

Gazeta Express

16/04/2024 15:47

Sot, në hapësirat e Institutit Albanologjik u promovua libri më i ri me poezi i poetes Donika Dabishevci, libër ky që doli nga shtypi një muaj më parë.

“E gjithkohshmja andërr”, është një testament i shkruar i luftës së fundit në Kosovë dhe jo vetëm. Në poezitë e Dabishevcit vërejmë edhe një pezëm të autores për ngjarje tjera jashtë vendit tonë e që në thumb kanë fëmijët dhe gratë.

Lexo Edhe:

Të ftuar për të folur për librin ishin Agron Gashi dhe Gëzim Aliu, përderisa poezi nga libri lexuan aktorët Xhejlane Tërbunja dhe Fisnik Istrefi.

Studiuesi Gëzim Aliu, lexoi parathënien e librit të cilën e ka shkruar dhe është botuar bashkë me librin:

“Në librin “Kam me ardhë si deka”, vërehet prirja e autores për përdorimin e të rrëfyerit lirik për dashurinë, ndarjen, humbjen, dhembjen. Kjo prirje rrëfimtare, me shtresim të fortë elegjiak, shprehet edhe në “E gjithkohshmja Andërr”.

Gëzim Aliu ka bërë ndarjen e cikleve të poezive të Dabishevcit në librin e fundit duke i renditur dhe duke i sqaruar tematikat në veçanti në poezi të caktuara dhe tematikën gjithëpërfshirëse në libër e që është lufta dhe pasojat e saj.

“Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”, përfundon Aliu.

Në anën tjetër Agron Gashi në një studim mbi librin thotë kështu:

“Libri poetik i Donikës “E gjithkohshmja andërr” është kthyer në zërin e atyre që nuk patën frymë për të dëshmuar e atyre që nuk patën zë për ta thënë fjalën, lutjen, pëshpëritjen e fundit”.

Ndër të tjera Gashi thotë që është i vetëdijshëm që Donika në këtë libër nuk e ka bërë poezinë për art sa për memorie.

Libri i Donika Dabishevcit është një libër i cili flet për luftën jo veç në këndin e humbjeve numerike, ky libër flet për dëshmitë e dhunës seksuale, psiqike, morale e shpirtërore në syrin e atyre që zakonisht në raste të tilla e bëjnë luftën më të madhe, në syrin e nënave dhe fëmijëve.

Çdo poezi në librin “E gjithkoshmja andërr” përmbledh pjesë të dokumentuara faktike dhe i mbështet mbi estetiken në letërsi, duke i sjell para lexuesit poezinë si dhimbje dhe dëshmi njëkohësisht.

Poezi nga libri:

Tuj ikë dekës

Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund,
prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranxash,
pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.
Përpjetë. Tatëpjetë.

Janë shumë. T’panumërueshëm janë.
Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq
n’karvan t’pakthimit. Humbtinave
kurrë t’njohuna tamam.

Andërrmbytun.
Shpresëvdekun.

Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,
t’plagosunit n’lese t’sajueme.
T’lodhun e tangall.
T’uritun, te tanë.
Dergjun për nji pikë ujë.

Arnat s’ua mlojnë brinjtë.  As kockat.
Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem.
Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun.
T’mavijosun.

Dielli i përvlon e hana i ngrin.
S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita.
Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri.

Ikanak’ t’zanun n’lak t’kohës t’nemun
nënshtruem i janë fatit,
pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie,
pa kurrnji mundësi me u përvijue…

Ata ik e deka njek!

Biografia e autores:

Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar edhe masterin për të vazhduar tutje në  Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoron po në  letërsi.

Ka botuar librat:

“Krizantema të plasura”, proza poetike,  Prishtinë, 1996,
“Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004,
“Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015,
“Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015,
“Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020.

/Express