Instituti ATOMI, më 18 shtator, nga ora 19:00, në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’ do të prezantoj librin “Rrugëtimi”, i cili u dedikohet prindërve të fëmijëve me dhunti dhe talente.
“Rrugëtimi” është një udhëzues praktik dhe i qartë. Libri ofron një kombinim të hulumtimeve bashkëkohore dhe praktikave të bazuara në evidencë, duke i pajisur prindërit me strategji konkrete për të mbështetur fëmijët e tyre si në shtëpi, ashtu edhe në shkollë.
“Rrugëtimi” është zhvilluar nga Alberta Learning në bashkëpunim me Asociacionin e Fëmijëve të Zgjuar të Albertës (AABC) dhe përfaqëson një burim të vlefshëm për këdo që dëshiron të kuptojë më thellë dhe të mbështesë zhvillimin e fëmijëve me dhunti dhe talente. Versioni në gjuhën shqipe është përkthyer nga stafi i Institutit ATOMI (Naime Hoxha, Luljeta Berisha Gollopeni, Dorentina Podrimqaku dhe me redaktore Medina Mehmeti), duke e bërë këtë material të qasshëm për të gjithë audiencën shqipfolëse, qofshin ata prindër apo profesionistë në Kosovë dhe më gjerë.
Ngjarja do të jetë një mundësi reflektimi dhe ndarje përvojash mbi rritjen dhe mbështetjen e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente. Pas promovimit të librit do të ketë një koktej modest për të gjithë të ftuarit.