Më 7 maj, në hapësirat e Librarisë ‘Dukagjini’, u promovua libri i Ervina Halilit, “Mali i Qumështit”, duke u shoqëruar nga paneli i diskutimit në të cilin ishin të ftuar Ernestina Gjergji Halili, Ag Apolloni dhe vetë autorja
Ernestina Gjergji Halili foli për autoren dhe për krijimtarinë e saj. Ani pse kur flitet për Ervinen është goxha problematike të mos diskutohet për poezinë, Ernestina u fokusua tek krijimi i autores në prozë, tek libri “Mali i Qumështit”.
“Është një ngjarje artistike dhe kulturore, jo vetëm pse Ervina ka kaluar tanimë në gjininë e prozës dhe në një det me shumë tallaze, por që ka arritur të sublimojë një lloj dhimbjeje që është e rrallë në jetën e njeriut dhe kur është e rrallë më shumë lë trauma se sa pasuri. Modestisht mund ta them që Ervina e ka kaluar veten si individ dhe na ka sjellë rrëfimin e një autori që guxon në dy veta edhe në veten e parë, por na sjell edhe rrëfimin që sot është, lë të themi, një shije postmoderniste me veten e dytë”, thotë ndër të tjera Gjergji-Halili.
Nga anën tjetër, shkrimtari Ag Apolloni, i cili ishte i ftuar për të folur rreth krijimtarisë së poetes dhe prozatores, u fokusua më shumë tek ndikimi i gruas në letërsi, e veçmas në letërsinë shqiptare.
“Është një prej autoreve më të talentuara që kemi tash dhe e lexova me kënaqësi librin. Më shumë këtë libër e pashë si një arsye për diskutim që është i rëndësishëm të behet ktu tek ne për shkak që letërsia shqipe ka qenë një letërsi me diskurs androcentrik. Shumë rrallë i është bashkuar këtij kori edhe ndonjë zë femëror, tash në shekullin 21 ka nisur të krijohet një paralele, nëse mund të quhet, një duet koresh. Një orkestër ku edhe zërat femëror japin kontributin e tyre dhe nuk mund të flitet më për diskurs mashkullor”, ka thënë Apolloni.
Meqë diskutimi për autoren dhe krijimtarinë e saj pa shkëputshim lidhen me poezinë, autorja e përmbledhjes me poezi “Gjumi i Oktopodit”, tregoi edhe për rëndësinë e kësaj gjinie letrare në jetën personale dhe profesionale të saj.
“Prej poezisë kanë filluar shumë shkenca. Metafizika të cilën e shfrytëzoj shpesh herë për me shpjegu’ shumë koncepte është vetë poezia; pastaj sikur njeriu ka nevojë të zbresë pak më poshtë për me i shpjegu’ disa gjera tjera sidomos kur kanë interaksion politik dhe social. Poezia është intime, shumë e brendshme edhe shpesh herë; jo pse unë nuk shkruaj poezi që kanë ngarkesë sociale dhe politike, por asnjëherë nuk i publikoj sepse nuk i ndjej si poezi, i ndjej si lloj proteste emocionale. Poezia për mua është një lloj tharmi i qetësisë, jo protestë”, shton Ervina Halili.
Nga libri:
“Këtu, në këtë botë, qumështi është një lëng pafundësisht i vjetër. Qysh prej fillimit të herëve të krijimit ujor rrjedh po ai i njëjti. Ndërsa në tokën tënde qumështin e thërret një puls që prodhohet në trurin e çdo gruaje. Po, në ballin e çdo gruaje ruhet qumështi si ndjenjë”.
Bio e shkurtër e autores:
Ervina Halili është shkrimtare dhe studiuese e letërsisë, me fokus të veçantë te miti. Ajo ka kryer hulumtime në fushën e automatizmit kolektiv dhe psikologjisë kolektive. Libri i saj Amuletë mori çmimin vjetor në vitin 2015 në Kosovë, ndërsa Gjumi i Oktopodit u përkthye dhe botua në gjuhën gjermane në Vjenë, në vitin 2016. Për këtë botim ajo u vlerësua nga “Landis&Gyr Stiftung në Zvicër ku edhe qëndroi në manastirin e Maria Opferung në studion e humnistit zviceran Peter Kolin gjatë vitit 2018-2019.