Më 13 janar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u promovua monografia e jetës së Shani Pallaskes, me autor Visar Krusha, titulluar “Shani Pallaska – Emblemë e një epoke”

Ky aktivitet erdhi si homazh për jetën dhe kontributin e jashtëzakonshëm artistik të Pallaskës, i cili ka lënë gjurmë të thella në historinë kulturore shqiptare. Nga fillimet e tij të para, e deri te shfaqjet, intervistat, filmografia, radiodramat dhe çmimet, kjo monografi dokumenton më për së afërmi zhvillimin personal dhe profesional të artistit që dukshëm i ka shtuar vlera trashëgimisë artistike të vendit.
I ndarë në disa kapituj, kjo monografi është poashtu e pasuruar me intervista me artistë që janë inspiruar nga puna dhe personaliteti i tij, si dhe nga një numër i madh fotografish nga periudha të ndryshme të jetës së tij.
Libri u promovua në prani të artdashësve, familjarëve e njohësve të punës së Pallaskes, për t’i rikujtuar skenës artistike e veçmas asaj teatrore rëndësinë e kontributit të brezave të kaluar në krijimtarinë sot.
Hapjen e promovimit e bëri aktori Shkelzen Veseli që ndër të tjera potencoi rëndësinë e përmbledhjes së kësaj monografie dhe impaktin e përmbajtjes së saj tek kinematografia dhe teatri ynë.
“Sot, më 13 janar, në përvjetorin e 27-të vdekjes së Shani Pallaskës botimi i këtij libri hedh dritë në këtë figure emblematike të Arteve Skenike të vendit tonë. Duke dokumentuar veprën e tij dhe duke e përquar atë para publikut, si një gur të çmuar të trashëgimisë sonë teatrore dhe filmike”, tha ndër tjerash Veseli.
Pallaska tregoi fuqinë artistike në skenën e teatrit kur ishte ende i ri, këtë e dëshmojnë edhe shkrimet në gazetat e asaj kohe të cilat autori Krusha i ka siguruar dhe i ka dokumentuar në këtë libër.
Lidhur më shfaqjen “I ndjeri” (1964) në një pjesë të artikullit të gazetës serbe ‘Radnik’, cituar nga ‘Rilindja’, shkruhet kështu:
”Me lehtësinë çuditese për nji fillestar ka mbajtë rolin e Jerotijes… Pallaska tash ka vetëm 21 vjet, por me nji lehtësi të njajte interpreton rolin e Potklasinit, spahiut të ri; të llastum dhe përtac, dhe rolin e Jerotijes, njeriut plak dhe të keq, i cili e don pushtetin me çdo kusht’. (“Rilindja”, 1 maj 1951, pa autor).
I ndarë në pjesë libri përmban përmbledhje artikujsh të gazetave, intervista, fotografi nga skena e teatrit e filmit, çmime e shpërblime. Pjesë e librit të monografisë janë edhe fjalët e Fadil Hysajt, i cili në promovim na ndanë diçka nga rrëfimi i tij.
“Kam pasur shumë dilema se çfarë të them për një artist kaq të madh. Në një moment vendosa të mos përdor fjalë të mëdha, sepse kur flet për një aktor, në të vërtetë flet për të gjithë personazhet që ai ka jetuar, apo edhe ka “vdekur” bashkë me ta, gjatë jetës së tij artistike. Ky është fati tragjik i artit të aktorit dhe i të gjithë atyre që krijojnë në skenë. Kjo është edhe përgjegjësia e këtij arti, i cili krijon jetë, krijon botë, krijon njeriun, dhe jeton përmes tij. Aktori jeton shumë jetë – deri në jetën tjetër, deri në një transformim të ri, deri në një moshë tjetër shpirtërore”, shton nder tjerash Hysaj.

Por ajo që Hysaj potencon e vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot ka të bëjë me inkurajimin e Shani Pallaskes për reformimin e teatrit, qoftë duke nxitur kritik, qoftë duke kërkuar stile të reja unike.
“Kur erdha në Prishtinë pas studimeve në Sarajevë, ajo që pashë ishte një aktor i ri, me energji dhe vizion. Shani Pallaska, bashkë me Dibran Tahirin, krijonin skenën, merrnin figura, eksperimentonin. Fatkeqësisht, sot kritika ka humbur standardin dhe shpesh është kthyer në eksperiment pa kriter. Por Shani Pallaska na inkurajonte shumë. Ai na nxiste të reformonim teatrin”, shton Hysaj.
Stili i veçantë të cilin e përmend Hysaj, e vërejmë tek ato që Pallaska thotë ndër rreshtash. Për shfaqjen ‘Erveheja” (1966), ai nuk humb meritat as të idesë së aty për atyshme të Muharrem Qenës, e as humb meritat e lojës së tyre në skenë por thekson kështu në fjali:
“U bë pra një shfaqje e cila i theu disa botëkuptime të vjetruara për teatrin tonë”.
Në mesin e rrëfimeve dhe dokumentimeve të rëndësishme që e bëjnë librin pjesë të trashëgimisë teatrore kulturore në vend, është edhe një letër e aktores Gresa Pallaska (mbesës së Shani Pallaskës), që në promovim na erdhi edhe me pamje edhe me audio.
“A të kujtohet, gjysh, kur më thoje se arti nuk është kurrë vetëm për aktorin? Me kujtohet si tani: “Artisti nuk është veçse një vegël në duart e përjetësisë. Ne nuk krijojmë për vete. Ne krijojmë për botën, për ata që na dëgjojnë dhe ata që kurrë nuk do të na dëgjojnë.” Dhe sot, kur unë flas, e di se ti po dëgjon. Je ti që më mësove të shoh përtej rolit, përtej fjalëve, përtej skenës”, shkruhet në letrën e Gresës.

Krusha në fjalën përmbyllëse kujton sa frymëzues ishte i gjithë procesi i përmbledhjes së monografisë për shkak të punës së Pallaskës. Ai vë në thumb krijimtarinë dhe rëndësinë e tij në teatër qoftë si aktorë, qoftë si drejtor i këtij institucioni duke vendosur rëndësinë tek përkushtimi i Shani Pallaskës për t’i ngritur edhe koleget rreth vetës në projektet ku ka punuar.
“Në fund, dua të falënderoj Kushtrim Koliqin, Ministrinë e Kulturës dhe fondacionin ‘Rockerfeller Brothers Fund’, familjen Pallaska, shkrimtarët, gazetarët, regjisorët, aktorët që kontribuuan në këtë monografi, redaktorin, botuesit dhe gjithë ekipin që punoi për realizimin e këtij libri. Faleminderit të gjithëve për praninë dhe mbështetjen”, përfundoi Krusha.

Biografi e Shani Pallaskës
Shani Pallaska ka lindur më 7 janar të vitit 1928 në Gjakovë nga nëna Naxhija dhe babai Ibrahimi. Ishte vëllai i madh i Talatit, Nerxhivanes dhe Behixhes ndërsa nga ana e babait i kishte edhe dy vëllezër e katër motra, Shefketin, Xhevdetin, Xhemilen, Fatimen, Naimen dhe Naxhijen, nëna e të cilëve kishte vdekur para se i ati të martohej me nenën e Shaniut.
Babai i Shaniut, Hafiz Ibrahim Pallaska, ishte një klerik fetar shumë i respektuar. Qe ne fëmijëri ishte dalluar për zgiuarësi dhe etje për dituri, e kishte mësuar përmendësh Kur’anin që në moshën shtatë vjeçare. I kishte kryer studimet e larta për drejtësi sipas sheriatit në Kajro, Damask dhe Stamboll. E fliste rrjedhshëm osmanishten, arabishten dhe persishten. Pos si imam, ai kishte punuar edhe si mësues, predikues, myfti dhe ne kohën e Perandorisë Osmane kishte punuar edhe si kadi (giykatës) i Gjakovës për disa vite. Ishte njeri përparimtar dhe atdhetar, mik i luftëtarit atdhetar, Haxhi Zekës. Njohuritë dhe përvojën e tij nuk i ushtronte vetëm si profesion, por edhe si mision për t’u ndihmuar të tjerëve, për të mirën e përgjithshme. Në familjen Pallaska jeton rrëfimi i bashkëshortes së tij, Naxhijes, që tregonte se në kohën kur ai punonte si imam në Xhaminë e Sefës ne Gjakovë, qe e kishte afër shtëpisë, kthimi nga puna në shtëpi i zgjaste me orë edhe pse ishte afër, pasi gjithmonë ndalej nga njerëz që kishin ndonjë hall dhe ky i dëgjonte dhe i këshillonte për t’i zgjidhur hallet e tyre. Si njeri përparimtar që ishte, ai e dinte rëndësinë e shkollimit për zhvillimin e një shoqërie, ndjenjë dhe pasion që e kishte përcjellur edhe të fëmijët e tij, bashkë me misionin “bëj mirë, për të gjetur mire”, e pastaj edhe ata të trashëgimtarët e vet.
/Gazeta Express