Më 16 dhjetor nga ora 18:00 në Qendrën Barabar mbahet promovimi i librit “Të Burgosurit e Ndërgjegjes: Memoare për Politikën, Burgun dhe Torturën (1945-1999)” dhe Ekspozita fotografike “Të Burgosurit e Ndërgjegjes: Kujtime të Rezistencës dhe Dinjitetit”.
Libri “Të Burgosurit e Ndërgjegjes: Memoare për Politikën, Burgun dhe Torturën (1945-1999)” përmbledh histori personale të ish-të burgosurve politikë, burra dhe gra, të cilët jetuan dhunën, shtypjen dhe torturën në ish-Jugosllavi. Përmes intervistave të thelluara dhe dokumentimit historik, libri shqyrton strategjitë shtetërore të përndjekjes dhe shtypjes politike, përvojat e burgosjes, torturës dhe mbijetesës në izolim, rolin e rezistencës politike dhe aktivizmit për paqe dhe barazi, dhe kujtesën e disidencës dhe ndikimin e saj në historinë bashkëkohore.
Krahas promovimit të librit, do të hapet edhe ekspozita fotografike “Të Burgosurit e Ndërgjegjes: Kujtime të Rezistencës dhe Dinjitetit”, e cila dokumenton dhe përshkruan aktivizmin politik, fuqinë e ndërgjegjes politike dhe rolin e kujtesës kolektive në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më humane, duke përshkuar hapësirën ndërmjet dhimbjes dhe shpresës.