Prokurorja Pula: Rreth tetë incidente të raportuara, s’ka të ndaluar - Gazeta Express
string(65) "prokurorja-pula-rreth-tete-incidente-te-raportuara-ska-te-ndaluar"

Lajme

Gazeta Express

12/10/2025 16:14

Prokurorja Pula: Rreth tetë incidente të raportuara, s’ka të ndaluar

Lajme

Gazeta Express

12/10/2025 16:14

Rreth tetë raste janë raportuar si incidente, por nuk kanë rezultuar me elemente të veprës penale, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula.

Ajo për KosovaPress konfirmon se nuk është arrestuar asnjë person për keqpërdorim të votës në këto zgjedhje lokale, deri në mesditë.

Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja nga Zyra e Prokurorit të Shtetit thotë se janë 100 prokurorë dhe staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.

“Roli i prokurorit në zgjedhje, jo vetëm në këto por duke filluar që nga viti 2013, bazuar në memorandum-bashkëpunimin që e kemi me të gjitha organet dhe institucionet relevante është që ta mbrojë votën e lirë të qytetarëve. Kjo ka treguar sukses ndër vite edhe në secilën palë zgjedhje. E them sukses ngase nëse e bëjmë një krahasim me zgjedhjet të cilat kanë qenë pothuajse zgjedhjet e këqija në Republikën e Kosovës, ka një ndryshim drastik të numrit të personave të cilët kanë manipuluar votën e qytetarit. Kjo falë këtij bashkëpunimi dhe rolit të prokurorit që tanimë e ka bërë pothuajse rutinë punën e tij në zgjedhje”, deklaron ajo.

Deri më tani, Pula thotë se nuk është ndaluar asnjë person për veprën penale që lidhet me keqpërdorim të votës.

“ Çdo person që fotografon votën do të ndalohet dhe do të verifikohet se për çka e ka fotografuar atë votë. Është e vërtetë që kemi pasur raportime për tri raste, mirëpo ata janë intervistuar dhe janë liruar ngase nuk është vërtetuar që ka pasur ndonjë pretendim të caktuar”, shton Pula.

Prokurorja Laura Pula thotë se janë raportuar deri në tetë raste si incidente, por asnjë nuk është vërtetuar që ka elemente të veprës penale.

“Janë 7-8 raste të cilat janë raportuar si incidente, por pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre të mirëfilltë kanë rezultuar që nuk kemi të bëjmë me vepër penale dhe prandaj nuk mund të themi se sot kemi persona të arrestuar për veprën penale që lidhen me keqpërdorimin e votës në zgjedhjet lokale”, përfundon ajo.

Gjatë ditës, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka vizituar Dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u prit nga koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula.