Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu përmes mbrojtjes së tyre janë ankuar për mangësi në aktakuzën e tyre ku akuzohen së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë.
Mirëpo, në një përgjigje të dorëzuar me 29 maj 2025, Prokuroria ka kërkuar që të hidhet poshtë kjo kërkesë e dy të akuzuarve me pretendimin se aktakuza përshkruan mjaftueshëm faktet materiale dhe rrethanat konkrete të kësaj çështje. Sipas Prokurorisë, iu është mundësuar të akuzuarve që të kuptojnë akuzat dhe të përgatisin mbrojtjen e tyre.
Pasi mbrojtjet kanë pretenduar për mungesë të hollësive në aktakuzë, Prokuroria thotë se nuk është e domosdoshme që një aktakuzë të përmbajë provat që mbështesin faktet materiale dhe se kjo çështje i përket gjykimit.
Prokuroria pretendon se aktakuza është në përputhje me ligjin dhe përshkruan në detaje kontekstin, kohen dhe rrethanat se si kanë ndodhur përpjekjet e të akuzuarve për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në proces e në veçanti në dëshmitë e dëshmitarëve në çështjen e Thaçit për krime lufte.
Ngjashëm thuhet edhe sa i takon veprës penale të pengimit të një personi zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Fillimisht Prokuroria është ndalur tek kërkesa e Thaçit ku ai pretendon se aktakuza ndaj tij nuk është e saktësuar në lidhje me veprën penale të tentimit për të penguar personat zyrtarë duke thënë se kjo është pabazë.
Prokuroria thotë se tentimi i pengimit të një zyrtari nga ana e Thaçit e përmend edhe aktakuza s është kryer në kontekst të gjykimit të tij në rastin për krime lufte duke koordinuar shenjëstrimin e dëshmitarëve me qëllim të dëmtimit të aftësisë së ZPs-së për të hetuar dhe ndjekur penalisht në mënyrë efektive krimet.
Ata thonë se identifikimi i zyrtarëve sipas funksionit të tyre është më së i mjaftueshëm për t’i mundësuar Thaçit që të kuptoj akuzat.
“Rasti i ZPS-së nuk ka të bëjë me një zyrtar të vetëm, çka nënvizohet nga natyra e tentim-pengimit në fjalë: një model i gjerë i sjelljes, dhe shënjestrimi i dëshmitarëve të shumtë, i udhëhequr nga THAÇI. Duke pretenduar të kundërtën, THAÇI paraqet jurisprudencë të zgjedhur në mënyrë selektive dhe mashtruese, duke injoruar rastet nga kjo dhe gjykata të tjera që rrëzojnë pozicionin e tij”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.
Prokuroria shpjegon që sipas saj ‘një person zyrtar’ është çdo person që është i autorizuar të veprojë në emër të DhSK-së apo ZPS-së
“Si rrjedhojë, duke konfirmuar akuzat ashtu siç janë formuluar, Aktvendimi i Konfirmimit gjeti saktësisht se pjesëmarrja e THAÇIT, FAZLIUT, SMAKAJT dhe KILAJT në veprimet e përbashkëta të një grupi mund, në parim, të rezultojë në pengimin e punës së Zyrtarëve të DSK/ZPS-së, “në veçanti prokurorëve dhe hetuesve të ZPS-së”, thuhet në parashtrim.
Përveç kësaj, Prokuroria thotë se Thaçi pretendon gabimisht se duhet të jepen hollësi në lidhje me detyrat zyrtare të cilat janë penguar duke thënë se në aktakuzë thuhet se me këto veprime të akuzuarit kanë penguar “aftësinë për të hetuar dhe ndjekur penalisht në mënyrë efektive krimet, përfshirë aftësinë e DSK/ZPS-së për të siguruar dhe mbledhur prova të rëndësishme nga dëshmitarët”.
Prokuroria thotë se aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve në këtë rast tregon se ka pasur përpjekje për të ndikua në mënyrë të paligjshme të dëshmitarët dhe si rrjedhojë qëllimi ishte të pengohej zhvillimi i rastit të Thaçit për krime lufte.
“THAÇI pretendon se nuk është shpjeguar se cila ishte sjellja e të Akuzuarit – ose e tri grupeve – që përbën “veprim të përbashkët” për të penguar. Ky pretendim injoron faktin se “veprim i përbashkët” mund të përfshijë çdo aktivitet të ndërmarrë së bashku nga anëtarët e grupit, pa kufizim në formë, dhe Aktakuza identifikon në mënyrë eksplicite sjelljen e të Akuzuarve brenda Grupeve të FAZLIUT, SMAKAJT dhe KILAJT – të gjitha këto të synuara drejt pengimit të Çështjes 6”, thuhet tutje.
Ndërsa, për kërkesën e Fazliut, thotë se i akuzuari ka keqlexuar, keqinterpretuar dhe po e injoron përmbajtjen e aktakuzës.
Fazliu kishte thënë se janë të paqarta veprimet e përbashkëta të atyre që aktakuza i njeh si Grupet Fazliu, Smakaj dhe Kilaj e po ashtu edhe veprimet ndërmjet vetë individëve.
Mirëpo, Prokuroria thotë aktakuza i paraqet qartësisht akuzat kundër të akuzuarve dhe dallon grupet përkatëse ku secili i akuzuar bënte pjesë.
Prokuroria thotë se pavarësisht pretendimeve, nuk ka paqartësi në këtë aspekt.
Ndonëse Fazliu është ankuar se veprimet e tij nuk janë të identifikuar në një shkallë të mjaftueshme, Prokuroria ka kundërshtuar këtë.
Prokuroria e specifikon se në aktakuzë thuhet qartë se me në vizitën e 2 korrikut, Thaçi siguroi informacion konfidencial mbi një dëshmitar të ZPS-së në çështjen e tij dhe dha udhëzime që Fazliu duhej të ia përcjelltë këtij personi.
Aty thuhet se Thaçi dhe Fazliu diskutuan për mënyrat se si duhej të i jepshin udhëzimet këtij dëshmitari duk rënë dakord që djali i Fazliut, Fahriu ta kontaktonte dëshmitarin për të caktuar një takim.
Prokuroria thotë s qëllimi për të penguar çështjen e Thaçit për krime lufte dëshmohet edhe nga fakti që Fazliu u takua me dëshmitarin para vizitës së 2 korrikut ndërsa djali i tij, Fahriu shkëmbeu mesazhe me dëshmitarin me 3 korrik për të rregulluar një takim së bashku me babain e tij dhe dëshmitarin.
Po ashtu, thuhet se Prokuroria ka parashtruar se argumenti i Fazliut se nuk bëhet e qartë në aktakuzë që veprimet nuk kanë arritur në kryerjen e plotë të veprës penale, është i gabuar.
Si rrjedhojë, Prokuroria është e qëndrimit që aktakuza paraqet faktet materiale të nevojshme për të mbështetur akuzat me një specifikim të mjaftueshëm për t’i mundësuar THAÇIT dhe FAZLIUT të kuptojnë çështjen kundër tyre dhe të përgatisin mbrojtjen.
“Kërkesat Paraprake nuk arrijnë të vërtetojnë ndonjë mangësi në Aktakuzën e konfirmuar dhe duhet të hidhen poshtë në tërësi”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.
Vlen të theksohet se Thaçi ka kërkuar veçimin e procedurës ndaj tij deri sa të përfundon rasti ku ai akuzohet për krime lufte.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe së fundi iu është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Pas ankesës së Prokurorisë kunder vendimit për konfirmimin e aktakuzës, atij iu është shtuar edhe një formë e përgjegjësisë për ‘nxitje’ për kryerjen e veprës penale të pëngimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Lidhur me këtë, Thaci është deklaruar i pafajshëm.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /BetimipërDrejtësi/
aaaaa