Prokuroria Speciale s’ka pranuar asnjë raport apo informatë se gjyqtari Radomir Laban mund të jetë rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës - Gazeta Express
string(138) "prokuroria-speciale-ska-pranuar-asnje-raport-apo-informate-se-gjyqtari-radomir-laban-mund-te-jete-rrezik-per-sigurine-kombetare-te-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 18:23

Prokuroria Speciale s’ka pranuar asnjë raport apo informatë se gjyqtari Radomir Laban mund të jetë rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 18:23

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) nuk ka pranuar asnjë raport, informatë apo denoncim nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme apo dikush tjetër, përmes të cilave mund të pretendohej se gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, mund të jetë rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi, Arbnora Luta, zyrtare për komunikim me publikun në PSRK.

“Ju njoftojmë se, sipas regjistrit të Prokurorisë Speciale nuk është evidentuar asnjë rast lidhur me personin për të cilin keni adresuar pyetje. Prokuroria mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit, korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me parimet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Lutës.

Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-ministrja e Drejtësisë, tani nënkryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu përmes disa deklaratave kanë ngritur dyshimet se gjykatësi Laban mund të jetë rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.

Fillimisht, më 5 gusht 2025, presidentja Osmani, në një konferencë për medie njoftoi se ka tërhequr kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të qartësuar pasojat juridike në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja. Këtë vendim, Osmani tha se e mori pasi u njoftua se gjyqtar raportues i rastit është caktuar Radomir Laban.

Presidentja tha se për veprimtarinë e rrezikshme të Labanit, institucionet kishin dërguar informacione zyrtare, të cilat po ashtu janë ndarë me Gjykatën Kushtetuese.

“Ju njoftoj se sot në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese si dhe në përputhje me Rregulloren e kësaj Gjykate, kam tërhequr kërkesë KO215/25. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave, të cilat në vitin 2021 dhe 2024, po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Osmani.

Në atë konferencë, Presidentja tha se para një viti kanë ngritur edhe zyrtarisht çështjen e informatave të pranuara sa i përket rrezikut që Laban paraqet për rendin kushtetues të vendit. Për këto informacione, ajo tha se Ministria e Drejtësisë kishte refuzuar ta emërojë Labanin në pozitën e noterit.

“Konsideroj që caktimi i gjyqtarit Radomir Laban si gjyqtar në këtë proces është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm. Kjo meqë mund të merren vendime që mund të krijojnë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme jo vetëm për institucionet aktuale, por edhe ato në të ardhmen”, u shpreh Osmani.

Ajo tha se ky gjyqtar është emëruar në vitin 2018 dhe se shkarkimi i një gjyqtari bëhet vetëm pasi të votohet me 2/3 e gjyqtarëve, e që më pas shkarkimi propozohet tek Presidentja.

“Prandaj, tërheqja e kësaj kërkese është veprim i domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues. Është absurde që të pritet që rendi jonë kushtetues të mbrohet pikërisht nga persona të cilët sipas institucioneve tona të sigurisë e sigurojnë rendin kushtetues të vendit tonë”, kishte thënë Osmani.

Po ashtu, Osmani tha se raportet e vitit 2021 dhe 2024 flasin për veprimtari të Labanit që ka të bëjë me rrezikim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe rrezikim të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Një ditë më pas, më 6 gusht 2025, tani ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, deklaroi se në kohën kur ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Laban, nga ish presidenti Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që të shkarkohet. Kjo sipas saj, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.

Por sipas saj, në përgjigje  zyrtare ndaj kësaj kërkese u ishte thënë se janë duke bërë ndërhyrje në pavarësinë e tyre,

“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij. Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte ‘ndërhyrje në pavarësinë e tyre’”, shkroi Haxhiu.

Edhe në një konferencë për medie më 10 gusht 2025, Haxhiu tha se gjyqtari Laban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”. Tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Edhe më 9 shtator 2025, kur njoftoi për komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e ngritur nga Lista Serbe për votimin e nënkryetarëve nga pakicat, Presidentja Osmani tha se fakti që Radomir Laban vazhdon të jetë gjyqtar i Kushtetueses, do duhej të përbënte shqetësim për të gjithë.

Ndaj këtyre deklaratave kishte reaguar Gjykata Kushtetuese, duke thënë se gjyqtari i saj, Radomir Laban, u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës. /BetimipërDrejtësi