Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është ftuar për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës në hetimet për aferën e rezervave shtetërore.
Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Arbnora Luta.
“Znj. Rozeta Hajdari është ftuar për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’. Thirrja është bërë me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit.”, tha ajo për Teve1.
Luta shtoi se “Megjithatë, znj. Hajdari ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse kishte bërë edhe gjatë thirrjes së parë për këtë çështje.”
Ajo gjithashtu u shpreh se “Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.”
Hetimet për aferën e rezervave shtetërore vazhdojnë me intensitet, ndërsa Prokuroria Speciale po përpiqet të sqarojë të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje.