Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) nuk u është përgjigjur kërkesave të saj për zhvillimin e bisedave me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, si dhe me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë, në dhjetor të vitit 1998.
Sipas Prokurorisë, janë ndërmarrë disa veprime për të përcaktuar nëse personat e propozuar posedojnë njohuri që do t’i bënin dëshmitarë të besueshëm në këtë rast. Për këtë arsye, në disa raste i është kërkuar BIA-s që të zhvillojë biseda me ta lidhur me rrethanat që konsiderohen të rëndësishme për hetimin.
“Megjithatë, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje ndaj këtyre kërkesave. Në varësi të raportit që do të pranojmë, do të ndërmarrim hapat e mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Prokurorisë për Radion Evropa e Lirë.
Avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, më 27 korrik kërkoi reagimin e Kryeprokurorit Publik të Serbisë, duke theksuar se Prokuroria për Krimin e Organizuar nuk i është përgjigjur për më shumë se tre vjet kërkesës së tij që si dëshmitarë të dëgjohen Stanishiq, Simatoviq dhe Vuçiq.
Sipas tij, dëgjimi i Stanishiqit dhe Simatoviqit është propozuar për të verifikuar informacionet indirekte të një dëshmitari, ndërsa dëgjimi i Vuçiqit është kërkuar pasi ai ka deklaruar publikisht disa herë se posedon informacione për këtë krim.
Në vitin 2013, kur ishte zëvendëskryeministër i Serbisë, Vuçiq kishte deklaruar se nuk ekzistonin prova që vrasjen në kafenenë “Panda” e kishin kryer shqiptarët dhe se opinioni publik në Serbi do të përballej me “zbulime të tmerrshme” lidhur me këtë rast.
Niniq ka kërkuar gjithashtu që Prokuroria të verifikojë pretendimet se Radomir Boban Baçoviq është autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto akuza u bënë më 18 korrik në rrjetin Telegram nga i arratisuri malazez Millosh Medenica, i cili pretendoi se Baçoviqi kishte punuar për Shërbimin e Sigurimit të Shtetit që nga vitet ’90.
Prokuroria ka bërë të ditur se Baçoviqi nuk është marrë në pyetje në asnjë cilësi, pasi deri tani askush nuk e ka përmendur si dëshmitar të besueshëm në hetim.
Institucioni ka shtuar se nuk kundërshton kërkesën e avokatit të familjeve për mbikëqyrje të jashtëzakonshme të punës së Prokurorisë në këtë rast, i cili është në fazën e hetimeve që nga viti 2016.
“Procedura nuk është përfunduar, sepse deri në këtë moment nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshime të bazuara se kush janë autorët e krimit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë, e cila shprehet e gatshme t’i dorëzojë Prokurorisë Supreme një raport mbi të gjitha veprimet e ndërmarra.
Gjashtë të rinjtë serbë – nxënësit e shkollës së mesme Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetislav Ristiq, Dragan Trifoviq, Vukosav Gvozdenoviq dhe studentja Ivana Radoviq – u vranë më 14 dhjetor 1998, pasi dy persona të maskuar hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr.
Ngjarja ndodhi në kohën kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin të larta dhe lufta ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishte nisur. Në të njëjtën ditë, forcat serbe vranë në një pritë disa pjesëtarë të UÇK-së që po transportonin armë nga Shqipëria. Pas sulmit në “Panda”, autoritetet serbe e paraqitën ngjarjen si akt hakmarrjeje dhe arrestuan disa shqiptarë në Pejë. /REL