Dy kompani janë ndaluar të punojnë pranë burimit të ujit për pije në fshatin Shum, i cili furnizon qytetin e Strugës. Lajmin e bëri të ditur Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime se kompanitë kanë shfrytëzuar minerale në mënyrë të paligjshme dhe mund të kenë ndotur ujin për pije.
Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën makina pune të dy kompanive nga Veleshta, të cilat po kryenin gërmime dhe transport të gurëve pranë burimit.
Prokurori ka kërkuar masa ndalimi, ndërsa gjyqtari ka vendosur që kompanitë të mos lejohen të punojnë në atë zonë deri në përfundim të hetimeve.
Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore. Nëse vërtetohen shkeljet, ndaj kompanive mund të ndërmerren masa të mëtejshme sipas ligjit.
tag_katrorimaqedoni_2