Prokuroria kundërshton presidentin Thaçi si dëshmitar në rastin “Veteranët” - Gazeta Express
string(73) "prokuroria-kundershton-presidentin-thaci-si-deshmitar-ne-rastin-veteranet"

Prokuroria kundërshton presidentin Thaçi si dëshmitar në rastin “Veteranët”

Gazeta Express

17/01/2020 14:07

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Valdet Gashi, ka kundërshtuar propozimet e mbrojtjes së të akuzuarve për të ftuar një numër të madh të dëshmitarëve në gjykimin e rastit të “Veteranëve”

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Lexo Edhe:

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mesin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve, ka qenë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe një numër i madh i komandatëve të brigadave, batalioneve dhe formacioneve tjerë në kuadër të UÇK-së.

Këto propozime, janë dhënë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por si jo të rëndësishëm për t’u dëgjuar i ka vlerësuar prokurori Gashi.

“Kemi ardhur në përfundim se këta dëshmitarë nuk janë relevantë për çështjen që është objekt i gjykimit në këtë proces, pasi ashtu siç është paraqitur në dispoztivin e aktakuzës, objekt i shqyrtimit është puna e Komisionit Shtetëror. Të gjithë dëshmitarët janë dëshmitarë që sipas arsyetimit të propozimit do të tregojnë për diçka që nuk është objekt shqyrtimi në këtë gjykim. Duke vlerësuar se janë jo relevantë për çështjen, ne mendojmë se një dëgjim i tyre vetëm do të zvarriste këtë proces gjyqësor”, ka thënë prokurori Gashi.

Sa i përket përjashtimit të provës materiale, incizimeve të mbledhjeve, prokurori Gashi, ka thënë se e kundërshtojnë këtë propozim, sepse është i pabazuar dhe i pa mbështetur në ligj.

“Pretendimet e parashtruesit, se incizimet e mbledhjeve që ka bërë dëshmitari Bujar Shala, se janë realizuar për nevoja personale e jo në mënyrë zyrtare, nuk qëndrojnë sipas vlerësimit të prokurorisë, sepse ky incizim është bërë në kuadër të ushtrimit të detyrave të tij, si sekretar i Komisionit dhe po ashtu këto incizime janë bërë në mbledhje zyrtare të Komisionit dhe janë ruajtur në pajisje zyrtare të këtij Komisioni. Në rastin konkret apo pretendimet e mbrojtjes, nuk qëndron pretendimi se këto incizime kanë qenë çështje personale. Përgjigje më të gjerë lidhur me këtë e keni me shkrim”, ka thënë ai.

Seanca është duke vazhduar dhe më pas pritet të vendoset lidhur me këto propozime dhe të tjera që mund të dalin gjatë kësaj seance.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.