Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ndaj të pandehurit K.V., ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Sipas Prokurorisë, K.V., dyshohet se në cilësinë e zyrtarit për regjistrimin e bizneseve në Gjakovë kërkoi nga i dëmtuari E.C., para për rregullim të dokumenteve të regjistrimit të biznesit.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet K.V., më datë 25.08.2025 në Gjakovë, në cilësi të personit zyrtar – zyrtar për regjistrim të bizneseve në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit për vete në mënyrë të drejtpërdrejt i kërkon të holla të demtuarit E.C., për rregullimin e dokumenteve të regjistrimit të biznesit, pasi i dëmtuari kishte aplikuar për hapjen e biznesit të tij, ashtu që më datë 01.09.2025, gjatë zbatimit të urdhëresës së gjykatës për masat e veçanta hetimore është arrestuar në flagrancë i pandehuri pasi ka pranuar shumën e të hollave prej 30 euro”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1 të Kodit Penal.
Prokuroria thekson se i pandehuri që nga data 1 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.