Prokuroria kërkon dënimin e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit në Novobërdë i cili është i akuzuar për korrupsion - Gazeta Express
string(113) "prokuroria-kerkon-denimin-e-shefit-te-drejtorise-se-urbanizmit-ne-novoberde-i-cili-eshte-i-akuzuar-per-korrupsion"

Lajme

Gazeta Express

18/01/2022 16:42

Prokuroria kërkon dënimin e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit në Novobërdë i cili është i akuzuar për korrupsion

Lajme

Gazeta Express

18/01/2022 16:42

Në fjalën përfundimtare në gjykimin për korrupsion ndaj të akuzuarit Selatin Beqiri, shef i Drejtorisë së Urbanizmit në Novobërdë, prokuroria ka kërkuar dënimin e tij, ndërsa mbrojta lirimin e të akuzuarit.

Në këtë rast po akuzohet edhe Osman Ramadani, për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose të shenjave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Në fjalën përfundimtare, prokurori Isuf Sadiku, ka deklaruar që mbetet në tërësi pranë aktit akuzues ndaj të akuzuarve Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani për shkak të veprave penale siç janë në aktakuzë.

Sipas tij, këto vepra penale janë argumentuar përgjatë administrimit të provave materiale si dhe provave personale gjatë këtij procesi gjyqësor.

Prokurori Sadiku ka propozuar që në bazë të provave të administruara, të njëjtit të shpallen fajtor dhe të dënohen konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës me një dënim meritor.

Ndërsa, për llojin dhe lartësinë e dënimit, prokurori Sadiku ka propozuar që të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Mbrojtësi i të akuzuarit Selatin Beqiri, avokati Artan Ibrahimi, fjalën e tij përfundimtare ia ka dorëzuar gjykatës me shkrim, duke shtuar se konsiderojnë se me asnjë provë të vetme nuk janë vërtetuar pretendimet e organit akuzues.

Avokati Ibrahimi i ka propozuar gjykatës që të marrë aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Osman Ramadani, avokati Sevail Robelli fjalën e tij përfundimtare ia ka dorëzuar me shkrim gjykatës, duke shtuar se në këtë shqyrtim gjyqësor nuk janë vërtetuar në asnjë moment akuzat ndaj të mbrojturit të tij.

Avokati Robelli i ka propozuar gjykatës të shpall aktgjykim lirues dhe ta lirojë nga akuzat të mbrojturin e tij, sepse sipas tij në asnjë moment nuk është vërtetuar akuza ndaj tij.

Të akuzuarit Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani e kanë mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësve të tyre.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 22 janar.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Selatin Beqirit dhe Osman Ramadanit, duke i ngarkuar ata me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përkatësisht veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri gjatë muajit shtator 2018, në Novobërdë, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari Beqiri ka shkelur legjislacionin, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr.04L-110, në atë mënyrë që derisa i akuzuari tjetër Osman Ramadani shkon disa herë në zyrën e tij për të pranuar përgjigje për kërkesën e bërë për mbindërtim të objektit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës dhe disa qytetarë ankohen në këtë komunë për shkak të këtij mbindërtimi dhe pas pranimit të këtyre ankesave, drejtori i Inspekcionit në vend të ngjarjes më 1 nëntor 2018, vendos shirita në objektin e mbindërtimit në fjalë dhe i lëshon aktvendim për ndalimin e punëve.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Osman Ramadani vazhdon punimet për shkak të kohës e cila ishte me të reshura shiu, ndërsa pas 2 nëntorit 2019, ai merr lejen për mbindërtim me numër të vrojtimit 09-08-2018, pra data e lëshimit të kësaj leje është para se drejtori i Inspekcionit të marrë aktvendim për ndalimin e mbindërtimit dhe shiritimin e tij.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Osman Ramadani, më 3 nëntor 2018, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Pasjak të Novobërdës, pasi ka pranuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve me numër të protokollit 11 – 569, për objektin mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm. /BetimipërDrejtësi