Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare të enjten në rigjykimin për korrupsion ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, prokurorja speciale Habibe Salihu tha se është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale që i vihen në barrë. Kurse, mbrojtësi i Reçicës, avokati Driton Muharremi tha se nuk u vërtetua fajësia e të mbrojturit të tij, andaj kërkoi aktgjykim lirues.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 maj 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të akuzuar për keqpërdorime me tenderin për Autostradën e Gjilanit, raporton “Betimi për Drejtësi”
Ndërsa, Gjykata e Apelit mori vendim me të cilin e ka prishur pjesërisht aktgjykimin e Themelores. Apeli anuloi aktgjykimin për pikat II, IIa dhe IIb për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në vazhdimësi, vepër për të cilën akuzohet Reçica dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Kurse, ka vërtetuar pikat I, III, IV, V të aktgjykimit të Themelores kundër katër të pandehurve në drejtim të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Shpëlarja e parave”.
Në seancën e së enjtes, prokurorja Salihu tha se është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit janë manifestuar elementet e vreprave për të cilat ngarkohet.
“Gjatë shqyrtimeve të mbajtura pranë këtij trupi gjykues u administruan prova materiale nga të cilat pa mëdyshje konsiderojmë se janë vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit janë manifestuar elemente të veprave penale të përshkruara në këto pika të aktakuzës”, tha Salihu.
Sipas saj, nga provat e dorëzuara dhe deklaratat e dhëna në faza të ndryshme të procedurës, është krijuar një gjendje faktike e qartë që tregon se kompensimet financiare të dhëna për punë shtesë nuk kanë qenë të ligjshme. Tha se pagesat shtesë janë bërë për punonjës që nuk kanë kryer punë jashtë orarit, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.
Sipas prokurores, refuzimi i mjeteve materiale në disa raste është bërë pikërisht për shkak të kundërligjshmërisë së tyre. Kjo situatë, sipas saj, është e mbështetur jo vetëm në dëshmi, por edhe në dokumentacionin financiar të dorëzuar para trupit gjykues.
Andaj, prokurorja Salihu kërkoi që Reçica të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës, po ashtu kërkoi që gjatë shqyrtimit të dënimit të vlerësohet rrezikshmëria shoqërore e këtyre veprave penale, si dhe pasojat e shkaktuara nga ato vepra.
Ndërsa, avokati Muharremi kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se aktakuza nuk ka plotësuar as minimumin e standardit të dyshimit të arsyeshëm.
“Aktakuza nuk mundi të plotësojë as minimumin e standardit të dyshimit të arsyeshëm e lëre më standardin e atij të bazuar mirë”, tha Muhuarremi.
Sipas tij, veprimet financiare të Reçicës janë ndërmarrë mbi bazën e kërkesave të zyrtarit financiar Besnik Hajdari, i cili ka dëshmuar se ka pasur punë shtesë të paplanifikuar për shkak të projekteve me BERZH-in dhe Bankën Botërore, etj.
Mbrojtja theksoi se nga ekspertizat financiare të pavarura, përfshirë atë të Shaip Bytyqit, nuk kanë gjetur dëme ndaj institucionit dhe se veprimet e të pandehurit kanë qenë brenda kompetencave ligjore.
Avokati Muharremi i propozoi trupit gjykues që të mbrojturin e tij ta lirojë përsëri nga akuza.
“Jo vetëm se Prokuroria nuk ofroi asnjë provë të vetme, por edhe për faktin se veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale, e në fakt u vërtetua se nuk ka bërë as veprime të kundërligjshme administrative apo disiplinore”, tha ai.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Reçica akuzohet edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohet se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”.
Reçica ngarkohet edhe për “Shpëlarje të parave” se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.
Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, akuzoheshin se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.
Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.