Prokuroria Themelore e Prishtinës ende s’e ka pranuar raportin zyrtar nga Instituti Mjeko-Ligjor për rastin e vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu. Kështu kanë konfirmuar nga ky institucion në një përgjigje për Gazetën Express.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë, deri në këtë fazë nuk ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore, lidhur me rastin e viktimës A.Z”, kanë thënë nga Prokuroria Themeore e Prishtinës për Express.
Nga ky institucion kanë thënë se për çdo zhvillim lidhur me rastin në fjalë do të ketë njoftime me kohë.
Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar arrestimin e pesë policëve, të cilët janë të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakudjesia”.
“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, kanë deklaruar nga prokuroria në përgjigje.
Agon Zejnullahu ka vdekur më 7 korrik në rrethana të paqarta, pasi është arrestuar nga pesë policë në qytetin e Lipjanit./Express/BesnikVelija/