Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari” - Gazeta Express
string(49) "prokuroria-e-beh-se-hap-hetim-per-sarajevo-safari"

Lajme

Gazeta Express

10/02/2026 14:26

Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

Lajme

Gazeta Express

10/02/2026 14:26

Në Departamentin e Posaçëm për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës është hapur një lëndë për rastin “snajperistë të fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë më 10 shkurt.

Sipas Prokurorisë, me urdhër të prokurorit janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve italiane dhe ka kontaktuar Mekanizmin Rezidual Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, me qëllim të verifikimit të informatave.

Hetimet u nxitën pasi mediat italiane, në fillim të nëntorit 2025, raportuan se Prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim mbi bazën e kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni. Ai pretendon se gjatë luftës në Bosnje, individë të huaj paguanin për të ardhur në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe për të qëlluar civilët e Sarajevës me snajper.

Gavazzeni ka paralajmëruar gjithashtu botimin e një libri mbi “safari snajperësh”, duke u frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i autorit slloven Miran Zhupaniq.

Në fund të janarit, Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka dhënë pëlqimin që qyteti t’i bashkohet procedurës gjyqësore të nisur në Milano kundër të dyshuarve.

Aktualisht, nën hetim është një shtetas italian 80-vjeçar, ish-shofer kamioni nga provinca Pordenone, i cili është marrë në pyetje më 9 shkurt. Prokurorët italianë e dyshojnë atë se, së bashku me persona ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në një plan kriminal të veprimtarisë snajperiste kundër civilëve të Sarajevës në periudhën 1992–1995.

Sipas mediave, bëhet fjalë për një person me bindje ekstreme të djathta, i cili është deklaruar hapur si fashist.

Gjatë afro katër viteve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë ka humbur jetën nga një plumb snajperi, ndërsa mbi 14 mijë fëmijë janë plagosur.

Megjithatë, deri më sot, asnjë snajperist individual nuk është ndjekur penalisht as nga gjykatat vendore dhe as nga ato ndërkombëtare.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në vendimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata snajperiste kishte për qëllim terrorizimin e civilëve të Sarajevës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement