Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka dhënë detaje shtesë lidhur me tragjedinë në Majac të Podujevës, që përfundoi me tre të vrarë.
Para mediave, Shala bëri të ditur se ngjarja nisi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës kryesore, dhe 45-vjeçarit, Ilaz Brahimit.
“Lidhur me këtë ngjarje tragjike, dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, situata ka eskaluar dhe më pas është përdor një armë zjarri, ku ka shtënë në drejtim të dy personave dhe për fat të keq për shkak të plagëve të marra, kanë ndërruar jetë, dhe po ashtu e dyshuara kryesore e këtij akti ka ndërruar jetë”, tha Shala.
Sipas saj prokuroria bashkë me polici kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. “Është sekuestruar edhe një armë zjarri, disa gëzhoja dhe disa prova të tjera relevante të cila do të ndikojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, tha ajo.
Ajo nuk dha detaje shtesë, pasi shtoi se hetimet janë ende në fazë preliminare.
Kujtojmë se 31-vjeçarja, Ardita Gashi privoi nga jeta 45-vjeçari si dhe gruan e axhës së saj, 73-vjeçare.
Si pasojë e vetëplagosjes, gjatë ditës së sotme ndërroi jetë edhe e dyshuara kryesore.