Aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave, dyshohen për krime lufte gjatë viteve '98-'99, prokurori: Pesë vjet hetime intensive - Gazeta Express
string(118) "aktakuze-ne-mungese-ndaj-21-personave-dyshohen-per-krime-lufte-gjate-viteve-98-99-prokurori-pese-vjet-hetime-intensive"

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 11:46

Aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave, dyshohen për krime lufte gjatë viteve ’98-’99, prokurori: Pesë vjet hetime intensive

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 11:46

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në vitet e fundit, numri i aktakuzave të ngritura në Kosovë për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullatës civile” është rritur dukshëm.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë./REL/