string(92) "prokuroria-dhjete-zyrtare-publike-ndalohen-per-korrupsion-dhe-keqperdorim-te-detyres-zyrtare"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 18:33

Prokuroria: Dhjetë zyrtarë publikë ndalohen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 18:33

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka ndaluar dhjetë (10) persona të dyshuar për përfshirje në një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit zyrtar, personat e ndaluar dyshohen për kryerjen e veprave penale si:

Ushtrimi i ndikimit (neni 424),

Marrja e ryshfetit (neni 421),

Dhënia e ryshfetit (neni 422),

Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (neni 414) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Bastisjet janë realizuar në disa lokacione të ndryshme, ndërsa gjatë operacionit policor janë sekuestruar dëshmi materiale që përfshijnë: armë automatike (kallashnikovë), armë gjuetie, municion, para të gatshme, telefona celularë dhe pajisje kompjuterike.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, të ndaluarit janë zyrtarë publikë, të cilët dyshohet se kanë kërkuar ryshfet nga kandidatë për pajisje me patentë shofer, duke u mundësuar në mënyrë të paligjshme kalimin e procedurave për marrjen e patentës.

Hetimet për këtë rast janë zhvilluar për disa muaj me masa të fshehta hetimore, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për luftimin e korrupsionit dhe paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për parandalimin e veprave të tilla penale.