Prokuroria deklarohet për akuzat e Thaçit se Kurti, Sveçla e Abazi kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekom - Gazeta Express
string(109) "prokuroria-deklarohet-per-akuzat-e-thacit-se-kurti-svecla-e-abazi-kane-hyre-ne-dhomen-e-pergjimeve-ne-telekom"

Prokuroria deklarohet për akuzat e Thaçit se Kurti, Sveçla e Abazi kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekom

Gazeta Express

28/05/2020 14:02

Prokuroria e shtetit është aktivizuar pas deklaratës që mbrëmë e dha presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për kreun e qeverisë në detyrë, Albin Kurtin dhe dy vartësit e tij, Haki Abazin dhe Xhelal Sveçlën. Për Gazetën Express nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar se janë në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elemente të veprës penale.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, mbrëmë ka deklaruar se për tri ditë me radhë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Haki Abazin e u.d. e detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën kanë qëndruar në dhomën e përgjimeve në PTK.

Lexo Edhe:

“Albin Kurti, Haki Abazi dhe Xhelal Sveçla kanë vizituar dhomën e përgjimeve dhe kanë kryer vepër penale, duke i ndalur kamerat. Ata aty kanë qëndruar për tri ditë”, tha mbrëmë Thaçi.

Për këtë deklaratë të presidentit ka folur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij, kjo deklaratë e presidentit është gënjeshtër, e me këtë temë ai ka kërkuar që të merret Prokuroria e Shtetit.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka deklaruar se janë në fazën e grumbullimit të informacioneve për të parë nëse ekzistojnë elemente të veprës penale.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka deklaruar Lutfiu.

Lidhur me deklaratën e presidentit, sot nuk ka dashur të flasë Sveçla, kur është pyetur nga mediat.

Express ka dërguar pyetje edhe në Qeveri për të parë nëse Kurti do të ushtrojë padi për shpifje ndaj presidentit.

Deri në momentin e publikimit të lajmit, të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje. /GazetaExpress/