Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Gavrilo Milosavleviq. Prokurori special, Ilir Morina tha se gjatë këtij gjykimi u dëgjua zëri i atyre që nuk mund të flasin, kurse mbrojtja e të akuzuarit kontestoi vërtetësinë e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët e Prokurorisë.
Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili njoftoi se palët e kanë dorëzuar me shkrim në zyrën e tij fjalën përfundimtare, ndërkohë që atë e elaboruan në këtë seancë.
Prokurori Morina deklaroi se sot përfundon një proces i gjatë dhe i mundimshëm dhe se qëndron këtu për të folur në emër të drejtësisë, viktimave, dhimbjes së familjarëve të viktimave dhe të një populli të tërë.
Prokurori tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se tani i akuzuari Milosavleviq ka kryer veprën penale sipas aktakuzës. Ai përmendi deklaratat e dëshmitarëve të cilët e kanë identifikuar të akuzuarin.
Prokurori Morina, po ashtu ka theksuar se në këtë gjykim u dëgjua zëri i atyre që nuk mund të flasin, duke iu referuar viktimave të burgut së Dubravës.
“Gjatë këtij gjykimi u dëgjua zëri i atyre që nuk mund të flasin përmes zërit të atyre që mbijetuan”, tha prokurori.
Lidhur me deklarimin e prokurorit Morina se në këtë gjykim dëshmitarët e kanë identifikuar të akuzuarin, mbrojtësi i të akuzuarit Milosavleviq, avokati Dejan Vasiq, tha se nuk ka asnjë dëshmitar që e vërteton këtë gjë.
Fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi tjetër i të akuzuarit, avokati Nebojsha Vllajiq i cili ka kontestuar dëshmitarët e Prokurorisë, duke përshkruar deklarimet e tyre gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Ai nuk e ka bërë atë për të cilën është akuzuar dhe për këtë gjë nuk ka asnjë provë”, tha avokati Vllajiq.
Në anën tjetër, vetë i akuzuari Milosavleviq tha se nuk ka lidhje me atë për çka po akuzohet.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë”, tha ai.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëkryerje me njësitë policore serbe, Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve, ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë, kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë.
Në aktakuzë përmendet se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga, ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se rojet kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ia kishin ndalur frymëmarrjen.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.