Prokurori special kërkon dënimin e Pal Lekajt dhe të tjerëve - Gazeta Express
string(60) "prokurori-special-kerkon-denimin-e-pal-lekajt-dhe-te-tjereve"

Prokurori special kërkon dënimin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Lajme

Gazeta Express

18/01/2022 17:31

Prokurori special Atdhe Dema, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar që ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtari i komunës Ismet Isufi, zyrtari Gani Rama dhe biznesmeni Veli Hajdaraga, të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit. Ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune. Për keqpërdorim pozite po akuzohen edhe Isufi dhe Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Në seancën e së martës, fillimisht para se të jepej fjala përfundimtare janë administruar provat materiale. Më pas, Lekaj, Isufi dhe Hajdaraga vendosen që të mbrohen në heshtje. Këta dy të fundit shtuan se qëndrojnë prapa deklarimeve të dhëna më herët.

E në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Dema tha se ngelet prapa aktakuzës së ndërtuar me shkrim, pasi që e njëjta është vërtetuar në tërësi, si përkitazi me fajësinë e të akuzuarve ashtu edhe me përgjegjësinë e tyre penale.

“Marrë për shkas vendimin e Apelit, pikat për të cilat ne jemi këtu sot dëgjimin e ekspertit dhe elaborimin e pikave të tjera që na ka detyruar Apeli që ju ti gjykoni e ne rishikojmë vërtetohet përsëri në mënyrë të plotë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të paraqitura në aktakuzë, duke vërtetuar në tërësi edhe kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale”, tha prokurori.

Në fund të fjalës së tij, prokurori i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtor dhe t’i ndëshkojë sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci, i cili fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, tha se prokuroria nuk e ka marrë fare mundin që të merret me vërejtjet e Gjykatës së Apelit.

“Gjykata e Apelit në mënyrë të qartë i ka artikulu vërejtjet e veta, e prokurori nuk e murr mundin fare t’ia bëjë të qartë gjykatës të gjitha vërejtjet që janë bërë nga Gjykata e Apelit, mes tjerash Apeli thotë se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur ta vërtetojë kohën e kryerjes së veprës penale dhe sipas Apelit e njëjta është përcaktuar paushall dhe jo kohën kur të pandehurit kanë vepruar apo janë dashur të veprojnë”, tha avokati Koci.

Avokati Koci tha se edhe pse Lekaj është i pafajshëm, ai tashmë e ka marrë një dënim për shkak se i njëjti tash e 7 vite zvarritet në procedurë penale, që nga hetimi e deri tani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Ndrecë Dodaj deklaroi se edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk janë vërtetuar pretendimet e ngritura nga prokuroria se Gani Rama ka alokuar, lejuar apo aprovuar mjete për llogari të biznesit në aktakuzë.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Isufi dhe Velihajdaraga, avokatët Bajram Morina dhe Agim Muhaxhiri thanë se qëndrojnë prapa fjalëve përfundimtare të shqyrtimit të kaluar.

Avokati Morina tha se duke marrë parasysh vendimin e Apelit në këtë rast ka arritur parashkrimi absolut, duke kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarit Isufi të merret aktgjykim refuzues.

Ndryshe, para dhënies së fjalës përfundimtare, gjykatësi Shaqir Zika ka kërkuar nga prokurori që të deklarohet në lidhje me vërejtjet dhe sugjerimet e Apelit rreth përcaktimit të kohës së kryerjes së veprës penale.

E prokurori Atdhe Dema tha se qëndron prapa kësaj aktakuze siç është dhënë në përshkrim, e kjo sipas tij, për faktin se mes të tjerash se pagesat dhe faturat janë lëshuar deri më 19 shtator 2014 dhe si pasojë prodhojnë efekte ashtu siç është paraqitur në aktakuzë.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, me anëtarë Mentor Bajraktarin dhe Besarta Dolin, kanë caktuar 21 janarin për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast,