Prokurori i Prokurorisë së Specializuar në Hagë, James Pache u mundua t’i hedh poshtë dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë të Perëndimit që dëshmuan në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria tha se “ndërkombëtarët s’kishin njohuri” për aktivitetet dhe qëllimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Dëshmitarët e tjerë të mbrojtjes, si për shembull James Rubin, i anashkaluan komunikatat dhe deklaratat publike të UÇK-së si manipulime dhe propagandë”, tha prokurori Pache.
Ai u tha gjykatësve se kanë “dokumente” si prova, të cilat, sipas tij, dëshmitarët ndërkombëtarë ose s’i kanë parë, ose i kanë anashkaluar.
“Të nderuar gjykatës, ajo që del është se provat shkresore të kësaj çështjeje janë të mbushura me dokumente të cilat dëshmitarët e mbrojtjes nuk kanë pasur qasje, apo që mund të kenë pasur qasje por nuk i kanë parë, apo që i kanë anashkaluar thjesht”.