Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ditën e premte, gjatë mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj Kadri Kadriut dhe Bekim Rizanit, ky i fundit i është drejtuar me fjalë dhe ton kërcënues prokurorit të rastit, Rasim Maloku.
Sipas procesverbalit të shqyrtimit gjyqësor, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, prokurori Maloku ka deklaruar para gjykatës se i akuzuari Rizani i është drejtuar gjatë gjykimit me fjalët: “Ti ma ke bo me tendencë me ma prish punën me Bonstill”, me një ton të lartë dhe në formë kërcënuese, duke ngritur dorën lart me tendencë që të niset në drejtim të dëshmitarit, derisa ka ndërhyrë zyrtari policor Behxhet Krasniqi për ta penguar. Atëherë, trupi gjykues e ka larguar nga salla e gjykimit,” thuhet në procesverbalin ku ka deklaruar prokurori Maloku.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Rizani, avokati Nasuf Hasani, ka kundërshtuar deklarimin e prokurorit Maloku duke thënë se deklarimet e tij nuk janë të vërteta.
“Nuk janë të vërteta ato që ka thënë prokurori se Bekim Rizani u largua nga trupi gjykues. Gjithashtu dua të shtoj faktin se i gjithë ai flustrim i Bekimit ka qenë nën afekt, i bindur se i njëjti nuk është i njohur si fajdexhi, madje ai e urren këtë dukuri”, thuhet të ketë deklaruar avokati Hasani.
Lidhur me këtë situatë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me prokurorin Maloku, i cili e ka konfirmuar rastin.
“Ka pasur fjalë kërcënuese, fyerje, ngritje të duarve dhe shprehje të qarta kërcënimi. E kemi ndaluar, e ka marrë Njësia e Hetimeve Rajonale dhe më pas nuk kam dijeni, sepse e ka trajtuar Departamenti i Përgjithshëm. Më tej nuk di asgjë”, ka deklaruar Maloku për “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, avokati Hasani tha për “Betimi për Drejtësi” se rasti ndaj Rizanit është hapur për kanosje ndaj prokurorit Maloku dhe dëshmitarit-dëmtuar Faton Mehmeti, dhe se sot është mbajtur seanca dëgjimore për caktim të masës së paraburgimit.
Po ashtu, avokati Hasani tha se prokurori Maloku ka abuzuar me detyrën zyrtare dhe se për këtë do të njoftojë Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Ka abuzuar me detyrën zyrtare, sepse po të kishte vepër penale, do ta kishte konstatuar gjykata në procesverbal. Për këtë abuzim do ta njoftoj Këshillin Prokurorial dhe nuk e meriton të jetë prokuror i shtetit, paguhet prej taksapaguesve të Kosovës”, ka shtuar ai./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.