Prokurori i Tiranës Besnik Cengu ndalohet për 15 vite të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Bëhet e ditur se ky është vendimi i marrë sot nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i cili veç ndërprerjes së vetingut për Cengun që ishte parashikuar në vendimin e KPK-së pranoi dhe kërkesën e Komisionerit publik për të ndaluar Cengun që të rikthehet në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15 vjeçare.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b”, e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 629, datë 03.03.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë:
i.Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në zbatim të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15 – vjeçare” thuhet në vendimin e trupës gjykuese.
Më 3 mars 2023 KPK vendosi me shumicë votash të pranojë kërkesën e prokurorit të Tiranës, Besnik Cengu për të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj tij pa një vendim përfundimtar, me argumentin se e kishte humbur objektin dhe qëllimin për shkak të daljes në pension të parakohshëm.
Ky vendim u ankimua nga komisioneria publike Irena Nino e cila i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të ndryshojë vendimin e KPK dhe të vendosë veç ndërprerjes së vetingut për Cengun dhe ndalimin 15-vjeçarë për tu rikthyer në sistemin e drejtësisë.
Ky qëndrim u mbajt edhe nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas tyre nga ana e Komisionit është përdorur gabim baza ligjore për të mos aplikuar pasojat që sjell ndërprerja e vetingut për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit, ashtu si përcaktohet në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.
/Gazeta Express