“Prokurori i Shtetit i kapur nga VV”, PSD me aksion para Prokurorisë - Gazeta Express
string(65) "prokurori-i-shtetit-i-kapur-nga-vv-psd-me-aksion-para-prokurorise"

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 11:59

“Prokurori i Shtetit i kapur nga VV”, PSD me aksion para Prokurorisë

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 11:59

“Prokurori i Shtetit i kapur nga VV”, është kjo pankarta që Partia Socialdemokrate e ka vendosur në murin e Prokurorisë së Shtetit, ku kryetari i saj Dardan Molliqaj ka akuzuar Vetëvendosjen për ndërhyrje në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), raporton Ekonomia Online.

“Qysh e dini, javën e kaluar ka ndodhur një prej zhvillimeve më të rëndësishme në drejtimin krejtësisht të gabuar sipas leximit tonë politik, ajo është kapja e Këshillit Prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Sa herë që e dëgjoni një zyrtar të Vetëvendosjes apo atë që është në pushtet nga Vetëvendosje duke e uruar një proces në sektorë të pavarur të kësaj shoqërie apo shteti, aty është e qartë sepse Lëvizja Vetëvendosje e ka kapur atë. Ju e dini që çdo zhvillim në Këshillin Prokurorial të Kosovës është sulmuar nga ministrat, nga kryeministri, nga presidentja, nga kryetari i Kuvendit në vazhdimësi. Hera e parë dhe e vetme që e mbështetën ishte zgjedhja e kryetarit të ri të këshillit apo kryesuesit të ri të Këshillit Prokurorial”.

“Pse është i rëndësishëm ky vendim? Këshilli Prokurorial i ka dy elemente thelbësore të cilat janë të dëshiruara të kontrollohen nga Vetëvendosja: E para: Organizon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Siç edhe e dini, që katër vite Kosova është pa kryeprokuror për herë të parë në historinë e këtij institucioni, për shkak se kryeministri Albin Kurti ka dalë në Kuvendin e Kosovës dhe ka deklaruar publikisht që nuk do të zgjedhet personi i cili është rekrutuar gjatë një procesi në Këshillin Prokurorial. Pra, nuk është refuzuar në mënyrë demokratike, procedurale, por është refuzuar politikisht, publikisht. E dyta: Rekrutimi i kryeprokurorëve, i cili është po ashtu gjë shumë e rëndësishme”, tha ai.

Molliqaj tha se PSD po alarmon për faktin se disa institucione janë kapur nga pushteti  i Vetëvendosjes.

“Pse ne po alarmojmë? Sepse alarmimet tona në vazhdimësi janë duke u bërë fakte. Në vazhdimësi institucionet publike janë nën kontrollin e pushtetit. Dhe ju e keni parë: prej Ibër-Lepencit, KEK-u, Policisë, AKI-së, e tash Prokurorisë… në vazhdimësi institucionet që kapen nga pushteti janë duke bërë shkelje të ndryshme dhe dëme të ndryshme. Pra, kjo nuk është thjesht një kritikë sipërfaqësore, por ky është një shqetësim serioz me atë që po ndodh. Dhe kjo e merr një peshë edhe më të madhe në kontekstin politik në të cilin po ndodhemi. Zgjedhja e një presidenti që është me vulën e Vetëvendosjes (ashtu siç po pretendon Vetëvendosja ta bëjë) do të jetë halka e fundit e cila e legjitimon çdo vendim të Këshillit Prokurorial: qoftë zgjedhjen e prokurorëve, qoftë zgjedhjen e kryeprokurorit e të ngjashme. Ju e dini që pa dekretimin e Presidentit këto gjëra nuk mund të ndodhin. Arsyeja kryesore pse Albin Kurti e don presidentin e vet është me zgjedh kryeprokurorin për shtatë vite. Sepse organi i akuzës është duke i munguar. Nuk po i kryen punë veç Policia, por po i duhet edhe Prokuroria. Dhe e fundit, duke e zgjedhur presidentin, do ta ketë mundësinë me i dekretu edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë rrumbullakësohen dy institucione në kapjen e Vetëvendosjes” , tha ai.

Ai ka bërë thirrje që të ketë reagime në lidhje me tentimet dhe pretendimet për kapje edhe të Pokruroisë së Shtetit.

“Për bindjen tonë (dhe kjo do të jetë një ditë edhe fakt), do ta shihni se si Prokuroria e Shtetit pas kapjes që do t’i bëhet kryeprokurorit (siç tashmë iu bë Këshillit Prokurorial), se si do të veprojë. Ky nuk është çështje e dëshirave të Albin Kurtit, ky është model politik i cili përcillet në krejt vendet me karakterin ideologjik që ka Vetëvendosja. Sa më herët që vetëdijesohemi, aq më të vogla janë pasojat. Nëse ne dojmë me prit që vetëm kur ka pasoja pastaj të veprojmë, do të jetë shumë më e kushtueshme për ne. Prandaj, i bëj thirrje të gjithëve që janë të interesuar për shtet demokratik, funksional, organe të pavarura, të reagojnë me kohë dhe të kundërshtojnë e parandalojnë një kapje të tillë”, shtoi ai./EO/

Advertisement
Advertisement
Advertisement