Prokshi: Shitja e arkave fiskale ka rënë për 60% – bizneset e reja ATK nuk i obligon të pajisen me arka fiskale - Gazeta Express
string(107) "prokshi-shitja-e-arkave-fiskale-ka-rene-per-60-bizneset-e-reja-atk-nuk-i-obligon-te-pajisen-me-arka-fiskale"

Lajme

Gazeta Express

13/06/2025 20:45

Prokshi: Shitja e arkave fiskale ka rënë për 60% – bizneset e reja ATK nuk i obligon të pajisen me arka fiskale

Lajme

Gazeta Express

13/06/2025 20:45

Në emisionin EURO n’T7 është debatuar për udhëzimin e ri administrativ të nënshkruar nga ministri Hekuran Murati në ditën e tij të dorëheqjes e që ka të bëjë me arkat fiskale.

Fidan Prokshi nga kompania Servis Global, e cila merret me shitjen dhe servisimin e arkave fiskale, ka thënë se neni më diskutabil i udhëzimit të ri administrativ është ai 51, që nuk i obligon bizneset e reja të pajisen me arka fiskale në këtë afat kalimtar.

“Ky udhëzim e ky nen ka shkaktuar paqartësi si te operatorët ekonomikë, ashtu edhe te tatimpaguesit, e po ashtu edhe te ne që shesim arka fiskale. Të hyrat nga shitja e arkave fiskale kanë rënë rreth 60% dhe 40% nga abonimet, kjo për shkak të hutisë që është krijuar nga neni 51 i këtij udhëzimi, i cili ka probleme të shumta brenda vetes. Në njërën anë, udhëzimi i ruan arkat e vjetra fiskale bashkë me sistemin fiskal, e në anën tjetër dhe në fund të tij, me një dispozitë ndalohet shitja e pajisjeve fiskale,” ka thënë Prokshi.

Sipas tij, as kompanitë që merren me shitjen e arkave fiskale nuk janë kundër këtij procesi, por vërejtjen e kanë pse nuk lejohet një fazë kalimtare, por po ndodh një prerje e menjëhershme apo ndalim i shitjes së pajisjeve fiskale dhe me këtë po iu bëhen edhe padrejtësi shumë bizneseve.

“Çka ndodh me bizneset të cilat janë hapur në janar dhe kanë qenë të obliguara që të pajisen me arka fiskale, ndërsa një biznes tjetër po ashtu i hapur disa ditë më vonë nuk e ka obligative të pajiset me arka fiskale? Kush ka me kompensu kompaninë që e ka blerë arkën fiskale?” ka pohuar Prokshi.

Në bazë të udhëzimit të ri administrativ, bizneset e vjetra dhe të reja që nuk janë pajisur deri më tash me arka fiskale nuk obligohen që ta bëjnë këtë, ndërsa të njëjtën duhet ta zëvendësojnë me paragona fiskalë, të cilët janë përdorur nga viti 2006 deri në vitin 2010 dhe do t’i lëshojë Administrata Tatimore e Kosovës.