Projektligjin e pagës minimale nuk e votoi as deputeti i VV-së, shkak "mosrespektimi i veteranëve" - Gazeta Express
string(95) "projektligjin-e-pages-minimale-nuk-e-votoi-as-deputeti-i-vv-se-shkak-mosrespektimi-i-veteraneve"

Projektligjin e pagës minimale nuk e votoi as deputeti i VV-së, shkak “mosrespektimi i veteranëve”

Lajme

Gazeta Express

13/05/2022 15:22

Mosrespektimi i veteranëve të luftës është arsyeja që deputeti i Vetëvendosjes Fatmir Humolli ka votuar kundër Projektligjit të sjellur në Kuvend nga qeveria Kurti. Kështu tha ish-pjesëtari i UÇK-së në një përgjigje për Gazetën Express kur u pyet për votën e tij kundër në seancën e sotme.

“Arsyeja mosrespektimi i veteranëve të luftës”, tha shkurt deputeti nga Podujeva.

Lexo Edhe:

Projektligji për Pagën Minimale nuk u miratua në Kuvend pasi vetëm 51 deputetë votuan pro, ndërkaq pesë kundër përfshirë edhe deputetin nga pozita, Fatmir Humolli.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në seancën e sotme, projektligj që u prit me kritika nga partitë opozitare.

PDK, LDK e AAK kundërshtuan Projektligjin pasi sipas tyre diskriminohen veteranët e luftës, kurse pati vërjetje edhe për përmbajtjen e Projektligjit në fjalë.

Hisen Berisha nga PDK dhe Bekë Berisha nga AAK kundërshtuan nenin që s’i përfshin pensionet e veteranëve në Projektligj.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se qeveria s’mund ta ketë diskrecionin e plotë që të vendosë për pagën minimale pa u diskutuar në Këshillin Ekonomik-Social.

“Ky është ndër ligjet më absurde që është shkruar deri më tani. Mënyra si e keni shkruar këtë ligj e targetoni vetëm një pjesë të sektorit privat pra nuk arrihet qëllimi i këtij ligji për barazi sociale. Ne nuk mund të themi se i kemi konsumu diskutimet dhe po lëvizim përpara pa këshillin ekonomik-social, qeveria s’mund të lëvizë pa një konsultim me komunitetin e biznesit.  Këta janë partnerët socialë që qeveria domosdo duhet të komunikojë dhe t’i bëjë pjesë e vendimmarrjes. Në sistem demokratik kërkohet arritja e dakordimit dhe jo betonim në pozicione të caktuara”, tha Hoti.

I njëjti projektligj do të hidhet në votim në njërën nga seancat e ardhshme.