Projektet hekurudhore në Ballkan po vonohen, Linja 10 e Kosovës edhe më keq se kur nisi projekti - Gazeta Express
string(95) "projektet-hekurudhore-ne-ballkan-po-vonohen-linja-10-e-kosoves-edhe-me-keq-se-kur-nisi-projekti"

Lajme

Gazeta Express

11/06/2026 12:08

Projektet hekurudhore në Ballkan po vonohen, Linja 10 e Kosovës edhe më keq se kur nisi projekti

Lajme

Gazeta Express

11/06/2026 12:08

Transporti në Ballkanin Perëndimor po përfiton nga financimi i Bashkimit Evropian për të përmirësuar lidhjet infrastrukturore të rajonit, por integrimi në rrjetin kryesor evropian të transportit po ecën me ritëm të ngadaltë. Kështu thuhet në një raport të Gjykatës Evropiane të Auditorëve, e cila paralajmëron se, për shkak të vonesave në zbatim dhe problemeve operative, afati i vitit 2030 për përfundimin e rrjetit bazë të transportit në Ballkanin Perëndimor ka gjasa të mos përmbushet.

Raporti analizon mënyrën se si mbështetja financiare e Bashkimit Evropian po ndikon në zhvillimin e infrastrukturës së transportit përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), mekanizëm që kombinon grantet e BE-së me kreditë e institucioneve financiare ndërkombëtare për realizimin e projekteve infrastrukturore, transmeton mediumi “Railway PRO”.

Komisioni Evropian është financuesi kryesor i këtij mekanizmi, duke kontribuar me 899 milionë euro që nga viti 2015, ose 86 për qind të fondit të përbashkët. Sektori i transportit përbën pjesën më të madhe të investimeve, me një buxhet prej 2.665 miliardë eurosh, nga të cilat 527 milionë euro janë disbursuar mes viteve 2015 dhe mesit të vitit 2025.

Projekte të rëndësishme, por me vonesa

Sipas auditorëve evropianë, projektet e financuara janë në përputhje me prioritetet e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor për rritjen e lidhshmërisë rajonale. Megjithatë, raporti evidenton mangësi në përzgjedhjen e projekteve, veçanërisht sa i përket gatishmërisë së tyre para miratimit të financimit.

Projektet kanë nisur mesatarisht me një vonesë prej 17 muajsh, pasi disa aplikime janë miratuar pa përfunduar dokumentacioni përgatitor. Në disa raste mungonin analiza kosto-përfitim ose projektet e detajuara të verifikuara.

Për këtë arsye, Gjykata rekomandon që Komisioni Evropian të financojë vetëm projekte të gatshme për zbatim, me dokumentacion të plotë dhe të përditësuar.

Gjashtë projekte hekurudhore në katër shtete

Mostra e analizuar përfshin 12 projekte transporti në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, me vlerë totale prej 341.6 milionë eurosh.

Mes tyre janë disa projekte të rëndësishme hekurudhore, si hekurudha Linja 10 në Kosovë, Korridori X dhe Korridori Xc në Serbi, si dhe Korridori VIII në Maqedoninë e Veriut.

Raporti thekson se gjashtë grante hekurudhore janë miratuar në këto katër vende, por tri nga linjat vazhdojnë të mos jenë të elektrifikuara dhe operojnë me trena me naftë, duke ulur përfitimet mjedisore që do të sillte transporti hekurudhor modern.

Auditorët vlerësojnë gjithashtu se Komisioni Evropian nuk i ka dhënë prioritet të mjaftueshëm projekteve të transportit të qëndrueshëm, si hekurudhat apo rrugët ujore të brendshme, të cilat do të ndihmonin më shumë në uljen e emetimeve të gazrave serrë.

Korridor pa lidhje të plotë në Maqedoninë e Veriut

Një nga rastet e veçuara në raport lidhet me Maqedoninë e Veriut. Auditorët konstatojnë se një segment hekurudhor i financuar në Korridorin VIII, drejt kufirit me Bullgarinë, u miratua edhe pse nuk kishte garanci për lidhjen e plotë me vendin fqinj dhe as marrëveshje që do të siguronin funksionimin e të gjithë korridorit.

Sipas raportit, financimi i segmenteve me lidhshmëri të pamjaftueshme mund të kufizojë ndikimin e investimeve evropiane në rrjetin rajonal të transportit.

Probleme në hekurudhën Linja 10 në Kosovë

Raporti ndalet veçanërisht te projekti i hekurudhës Linja 10 në Kosovë. Sipas vlerësimit të Gjykatës Evropiane të Auditorëve, gjendja e linjës ishte më e keqe në kohën e auditimit sesa para fillimit të projektit.

Qarkullimi hekurudhor është ndërprerë që nga viti 2020 pas shembjes së tuneleve gjatë punimeve, ndërsa deri në qershor 2025 nuk ishin instaluar sistemi i sinjalizimit dhe elektrifikimi.

Auditorët e përdorin këtë rast për të ilustruar rreziqet që lidhen me vonesat, kapacitetet e kufizuara të përfituesve dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të projekteve.

Linja 10 është korridori kryesor hekurudhor i Kosovës, që lidh vendin nga kufiri me Serbinë në veri deri te kufiri me Maqedoninë e Veriut në jug. Ajo është pjesë e rrjetit evropian të transportit (TEN-T) dhe konsiderohet lidhja më e rëndësishme hekurudhore e Kosovës me rajonin dhe Evropën. Projekti për modernizimin e saj u planifikua që në vitin 2014, ndërsa financimi ndërkombëtar u sigurua në vitet pasuese. Punimet në fazën e parë, në segmentin Fushë Kosovë–Hani i Elezit, nisën në vitin 2019 me synimin për rehabilitimin e binarëve, tuneleve, urave, sistemeve të sinjalizimit dhe elektrifikimit. Megjithatë, projekti u përball me vonesa të shumta, ndërsa qarkullimi hekurudhor në këtë linjë është ndërprerë që nga viti 2020 pas problemeve të shfaqura gjatë punimeve në tunele.

Në përgjithësi, raporti konstaton se qëndrueshmëria e shtatë projekteve të analizuara nuk ishte siguruar plotësisht për shkak të procedurave administrative të papërfunduara, mungesës së fondeve për vazhdimin e investimeve, mirëmbajtjes së pamjaftueshme ose infrastrukturës së pashfrytëzuar.

Mbikëqyrje me mangësi dhe monitorim i dobët

Gjykata Evropiane e Auditorëve vëren se Komisioni Evropian mbështetet kryesisht tek institucionet financiare ndërkombëtare për monitorimin e zbatimit të projekteve.

Megjithatë, sipas raportit, kjo mbikëqyrje nuk ka qenë gjithmonë e mjaftueshme. Komisioni nuk ka kërkuar në mënyrë sistematike prova për vlerësimin e rreziqeve të zbatimit, ndërsa në disa raste nuk ka identifikuar mangësi në procedurat e prokurimit publik.

Raporti kritikon edhe monitorimin e vonesave, duke theksuar se informacionet e marra nga institucionet financiare nuk kanë qenë gjithmonë të detajuara ose të përditësuara sa duhet për të identifikuar shkaqet reale të problemeve.

Përveç vonesave në nisje, shumë projekte kanë regjistruar vonesa shtesë prej më shumë se dy vjetësh gjatë fazës së ndërtimit, kryesisht për shkak të ndryshimeve në projektet teknike dhe vonesave në marrjen e lejeve.

Matja e ndikimit mbetet e kufizuar

Për të vlerësuar progresin e përgjithshëm, Komisioni Evropian ka përdorur tre tregues kryesorë: rritjen e Bruto Produktit Vendor (BPV), vlerën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, si dhe Indeksin e Zhvillimit Njerëzor.

Sipas auditorëve, këta tregues ndikohen nga shumë faktorë të jashtëm dhe nuk japin një pasqyrë të qartë mbi efektet konkrete të projekteve të financuara përmes WBIF-së.

Ata vlerësojnë se do të ishte më e dobishme të maten shkalla e përfundimit të korridoreve të financuara dhe niveli i përputhshmërisë së rrjeteve të transportit me standardet e Bashkimit Evropian, për të vlerësuar më saktë ndikimin e fondeve evropiane. /Koha

Advertisement
Advertisement
Advertisement