Dick Cheney, zëvendëspresidenti polemizues i SHBA-ve nën presidencën e George W. Bush, i cili drejtoi vendin drejt një pushtimi katastrofik të Irakut, ndërroi jetë të hënën. Lajmi u dha nga familja e tij. Ai ishte 84 vjeç.
Në kohë të ndryshme, Cheney mbajti rolet e anëtarit të Kongresit, shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe sekretarit të mbrojtjes, por si një nga nënpresidentët më të fuqishëm të vendit ai pati ndikimin të madh, duke ushtruar ndikim mbi Bushin me më pak përvojë.
Cheney ishte në detyrë më 11 shtator 2001 gjatë sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington. Teksa Bush nxitoi të shkonte në një vend të sigurt, Cheney punoi me sekretarin e mbrojtjes, Donald Rumsfeld, për të marrë kontrollin e situatës. Trupat mbërritën shpejt në Afganistan, duke luftuar talebanët dhe duke ndjekur al-Kaidën.
Por vendi i Cheney-t në histori do të dominohet nga vendimi për të pushtuar Irakun. Ai kishte qenë sekretar i mbrojtjes gjatë luftës së parë të Gjirit kundër Sadam Huseinit, në vitet 1990 dhe 1991, por tashmë arsyetimi publik i Cheney dhe Bush për luftën ishte se diktatori irakian ishte i lidhur me al-Kaidën dhe për rrjedhojë me 11 shtatorin, dhe zotëronte armë të shkatërrimit në masë. Deri në mars të vitit 2003, kur forcat amerikane dhe të koalicionit pushtuan vendin, nuk ishin gjetur prova për asnjërën nga akuzat, dhe të dyja shpejt u vërtetuan si të rreme.
Edhe pse Cheney kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar, ai gjithashtu mendonte, siç shkroi më vonë, se administrata Bush “kishte një detyrim të bënte gjithçka që duhej për të mbrojtur Amerikën”.
Numri i të vdekurve ishte i lartë. Sipas Shkollës Watson të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Brown, që nga viti 2001 “të paktën 800 mijë njerëz janë vrarë nga dhuna e drejtpërdrejtë e luftës në Irak, Afganistan, Siri, Jemen dhe Pakistan”.
Trajtimi i të burgosurve të kapur nga SHBA-të në “luftën e tyre kundër terrorizmit” gjithashtu rezultoi jashtëzakonisht i diskutueshëm. Edhe pasi u largua nga detyra, Cheney vazhdoi të mbronte përdorimin e torturës kundër të burgosurve pas 11 shtatorit.
Si një student i Universitetit të Yale që shmangu shërbimin në Vietnam, Cheney u bë megjithatë një gjigant i politikës republikane.
Ai ishte ndihmës i Shtëpisë së Bardhë nën Richard Nixon; shefi më i ri i stafit ndonjëherë të Shtëpisë së Bardhë për Gerald Ford; anëtar i Kongresit nën Ronald Reagan; sekretar i mbrojtjes për George HW Bush dhe zëvendëspresident për George W. Bush.
Kur Bushi i ri e zgjodhi atë nga korporata Halliburton për t’u bërë kandidati i tij për nënpresident në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, Cheney u kishte mbijetuar tashmë 3 atakeve në zemër. Nuk ishte imun as ndaj fatkeqësive. Një herë, teksa ishte zëvendëspresident, ai qëlloi në fytyrë një partner gjuetie.
Cheney iu nënshtrua me sukses një transplanti zemre në vitin 2012, pasi vuante nga një sëmundje e parakohshme e zemrës.
Ish-nënpresidenti “nuk u shqetësua kurrë për atë që njerëzit dinin për sëmundjen e tij të zemrës. Ai ishte shumë i hapur për këtë”,tha mjekut i tij Jonathan Reiner. “Ai ishte pacienti më i lehtë, jashtëzakonisht i bindur. Dhe mendoj se kjo është një nga arsyet pse ai arriti të jetonte një jetë kaq të gjatë dhe të plotë.”
Vajza e Cheney, Liz Cheney, e ndoqi atë në politikën republikane si përfaqësuese e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së nga Wyoming në të njëjtin vend që babai i saj kishte mbajtur kur ishte kongresmen, por ajo u kritikua nga partia pasi kritikoi ashpër Donald Trump për kryengritjen e 6 janarit.
Plaku Cheney mori pjesë gjithashtu në një aktivitet për të shënuar përvjetorin e parë të sulmit së bashku me vajzën e tij, ku shprehu “zhgënjim të thellë” për udhëheqjen e Partisë Republikane duke thënë: “Nuk është një udhëheqje që i ngjan asnjërit prej njerëzve që njihja kur isha këtu për 10 vjet” dhe se “nuk mund ta mbivlerësosh sa i rëndësishëm është 6 janari”.
Cheney njoftoi në vitin 2024 se do të votonte për Kamala Harris në vend të kandidatit republikan Trump, duke thënë se “në historinë 248-vjeçare të kombit tonë, nuk ka pasur kurrë një individ që përbën një kërcënim më të madh për republikën sesa Donald Trump” dhe se ai ndiente një detyrë për të “vendosur vendin mbi partishmërinë për të mbrojtur kushtetutën”.
Duke folur për “The Guardian” në vitin 2018, me rastin e publikimit të filmit “Vice”, një biografi komike e errët me protagonist Christian Bale, biografi i Cheney, Jake Bernstein, tha: “Ka pasur njëfarë rehabilitimi me George W. Bush. Në krahasim me Donald Trump, të gjithë fillojnë të duken më të mirë. Por Dick Cheney i pëlqeu fakti që të gjithë e quanin Darth Vader. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë përpjekje nga ana e tij për të zbutur imazhin e tij.” /The Guardian, përshtati në shqip Lapsi.al