Profetë të rremë në një letërsi të vërtetë - Gazeta Express

Profetë të rremë në një letërsi të vërtetë

Arte

Gazeta Express

07/04/2020 12:18

(Romani ‘ Triptiku i magjistarëve, i Bashkim Shehut)

Nga Rudolf Marku

1.

Bashkim Shehu është njëri ndër prozatorët më të talentuar të letersisë shqipe pas viteve ’90. Ai ka kohë që e ka stabilizuar vehten si një prozator serioz, kërkues i formave bashkëkohore të prozës, një krijues që i kushton vëmëndje artit të shkrimëisë dhe gjuhës shprehëse. Origjinaliteti i vepres vjen vetvetiu si shpërblim..Nëse, në këtë renditje të mësipërme do më kërkohej të veçoja atë më të veçantën e prozës së Bashkim Shehut, do zgjidhnja kompozicionin e prozës, makro strukuturen e veprave të tij.

Duke qënë njëri ndër krijuesit më më formim kulturor, formim që i ka dhënë autorit një ekzigjencë të admirueshme për formën letrare, veprat e tij i tregojnë lexuesit të kujdes-shshëm preokupimin paraprak të autorit para se të fillonte të shkruante vepren që lexuesi po lëçit…Në këtë pikëpamje, duket se shkrimtari ka mësuar, ta zëmë, nga Dante Alighieri a Nikolaj Gogol, nga pikturat e Hieronymmus Bosch a nga Pieter Brugel (plaku), apo nga tokatot e Bahut, mjeshtërinë e arkitekturizimit të vepres që shkruan.

Romani më i fundit i autorit ‘Triptiku i magjistarëve, mendoj se është ndoshta vepra më përfqësuese e Bashkim Shehut. Deri më tash, ata që kanë folur për vepren, nuk kanë ngurruar ta quajnë librin si një roman modernist a post-modernist. Është disi qesharake, por jo e pakuptueshme, kur sheh se sa me zell studjuesit e letersisë tek ne, bash ata që dje ishin dhe puritanët më syçelët të mbrojtjes së letersisë nga coronavirusi modernist perendimor, nxitojnë t’ia gjejnë vendin e caktuar një krijimi letrar në raftet përkatëse të modernizmit a postmodernizmit, a thua se vetëm përkatësia e një vepre në tufën e veprave moderniste a post-moderniste i siguron automatikisht sukses të padiskutueshëm vepres letrare, madje përpara se ajo te jetë shqurtuar si vepër letrare…Kam lexuar në shtyp se ‘Trilogjia e magjistarëve, është një roman post- modernist, përpara se studjuesit të thonë përse ky libër është jo vetëm roman, por roman shumë i mirë. Dhe përpara se të thonë se si është krijuar ky roman, çfarë veçorish stilistikore dhe shkrimore sjell ky libër, çfarë e dallon këtë roman nga veprat e mëparshme të autorit dhe në raport me veprat e mira të letersisë në përgjithësi.

Kur e lexon me kujdes ‘ Triptikun e magjistarëve, ndjen se struktura kompozicionale e librit e ka pikënisjen tek një vepër e njohur e një piktori me famë botërore, jo modernist, as post-modernist, madje as futurist a ekpresisonist a përfaqësues i Nouveau Art, madje as dhe piktor i shekullit të XX a i Shekullit XXI… Pikënisja është tek vepra e një piktori të shekullit të 15-të, te vepra teper e njohur që quhet ‘ Adhurimi i Mbretërve Mag, të piktorit Hieronymus Bosch (tek ajo që ndodhet në Madrid, në Muzeun Prado, dhe jo tek siblingu tjetër me te njënjtin titull, e Bosch-it, që ndodhet në Neë York).

Bosch është një piktor që ka ndikuar shumë artistë dhe krijues të fushave të ndryshme. Pier Paolo Paozolini është njëri prej tyre që i është mirënjohës vepres së piktorit hollandez, i cili paska influencuar në filmat e famshëm të Paozolinit…Ndersa Salvador Dali duhej të kishte thënë për Boschin atë që Dostojevski pat thënë për novelen ‘Palltoja,, të Nikolaj Gogol…Duket se Bashkim Shehu është një tjetër adhurues i opusit të Boschit, ashtu siç është dhe shkruesi i këtyre rradhëve.

Piktura e Boschit është një triptik. Nga kjo -edhe titulli dhe kompozicioni i romanit : ‘ Triptik…, Piktura e Boschit quhet ‘Adhurimi i Mbretërve Mag,. Mbretërit Mag janë të famshëm në mitologjinë kristiane. Mag është nga vjen dhe fjala- Magjistarë. Nga këtu dhe plotshmëria e titullit- Triptiku i Magjistarëve. Por fjala Mag (magjistar) sigurisht që nuk ka kuptimin e sotëm të magjistarit. Mag-u i kohnave biblike është dijetari, shkencëtari, parashikuesi i mbështetur në dijet e thella astronomike, astrologjike, mathematike, shpirtnore, filozofike…Bashkim Shehu është një njohës i thellë i piktures. Ai e di se në pikturen e Boschit, ne paleten e mesit, në pikturen kryesore, aty ku tregohet Jozefi dhe Shën Maria, që mban në duar Krishtin e sapo lindur, pas kurrizit të figurave të planit të parë, pas Magëve adhurues të Krishtit foshnje dhe pohues se Krishti i lindur është Profeti vertetë, shfaqet një figurë misterioze, një nga ato figurat që mund t’i gjesh veç tek Boschi- një figurë groteske, gjysëm lakuriq, a më shumë se gjysëm lakuriq (pelerina e tij veç se ia zbulon dhe më tepër lakuriqsinë)- ligësia e tij lexohet tek sytë dhe shprehja e paqëndrueshme trupore – ai sheh me zili, urrejtje, dinakëri,egersi..Interpretimi i kësaj figure është ndër më të vështirët. Njëri ndër interpretimet më serioze është ay interpretim, sipas të cilit burri misterioz, që ka ardhur të dëshmojë lindjen e Krishtit, është imposteri, i rremi. Është i tronditur nga pamja e profetit te vertetë, sepse deri më tash , i shtyrë nga zilia, ligësia, shtysa e së keqes, ka kohë që ka lozur rolin e Profetit të rremë. Por është dhe i vendosur të vazhdojë të luaj, me çdo mënyrë, me energjinë dhe këmbënguljen e së keqes, me dinakërinë dhe mjeshtërine aktoreske të së keqes Diabolike, rolin e Profetit.

2.

Romani i Bashkim Shehut rrok temen madhore dhe tronditëse të Profetërve të rremë në historinë e shekullit të XX. Triptiku kërkon një lexim të kujdes-shëm dhe një lexues të kualifikuar. Duke lexuar me kujdes romanin faqe pas faqeje, asosacionet e panumerta, që vijnë pa asnjë sforcim të qëllimshëm nga autori, të japin idenë se Profetët e rremë janë tre imposterët më të mëdhenj të Historisë së Shekullit të XX , duke lënë shtegun e hapur për përmendjen dhe interpretimin e mijërave profetë të tjerë të rremë të historisë së shkuar a të arshëm të njerëzimit.

Natyrisht, libri i Bashkim Shehut është një narracion fiktiv, dhe jo nje libër Historie, Por dhe këtu kemi një veçori të krijimtarisë së këtij autori. Bashkim Shehu krijon atë që në prozen e shekullit të kaluar është quajtur me një term që bashkon “fact” dhe “fiction” – “faction”. Është përdorur për Danillo Kishin, një nga autorët e shquar bashkëkohorë ballkanik ( “Enciklopedia e të vdekurve”), por dhe për Truman Kapotin e letersisë amerikane. Në letersinë shqipe kam quajtur me këtë term romanin e fundit të shkrimtarit Zija Çela. Bëhet fjalë për nisjen e prozës nga faktet e verteta, të cilat kthehen, në laboratorin alkimist të shkrimtarit, në një fiction tërheqës fantast. Vetë libri I Bashkim Shehut kthehet në një libër aq terheqës, sa duket se vetë realiteti ka patur deshire ta kopjojë librin.

Triptiku i parë na rrëfen historinë e jetes se Eric Lars Jesperseni ( Herman Haim Shtajnshnajder), lindur ne Çeski Krumlov te Bohemisë. Fati i tij është qëndra gravitacionale e gjithë librit. Përmes asosacioneve herë të afërta e herë të largëta, karakteret e tjera të librit tërhiqen si ca planete të panjohur prej magnetizmit që posedon me shumicë ky karakter I dhënë mjeshtërisht…

Struktura (megastruktura, kompozicioni i romanit) eshte planifikuar (pjeserisht, sepse nuk mund dhe nuk duhej te qe planifikuar ne çdo detaj) ne menyren me racionale’ Keshtu,historia e jetes se austriakut hebre Jespersen lidhet me ca fije asosacionale te padukshme, narrative-emocionale, por dhe kuptimore, me fatin e Viktor Nikajt, i cili na shfaqet për herë të parë në një apartament të Shallvareve të Tiranës (ndonëse historia e Jespersenit fillon kronologjikisht nga lindja deri tek vdekja, ndersa ajo e Viktorit nga Vdekja -Vrasja, vetevrasja nga vetvetja e vet, nga hija- deri tek fillimi i studimeve në Moskë). Blloku i tretë i Madh, historia e Ambasadorit Fu Uei dhe sidomos historia e Lin Biaos, më duket se ka mbetur paksa me i fragmentarizuar me terësinë e romanit, megjithë mjeshtërinë e narracionit të lidhjeve misterioze të Fu Ueit, deri te strukturat e mevonshme te Nazizmit…
Romani arrinë apeksin e vet në përshkrimin e jetës së Viktor Nikës në Moskë dhe me atë historinë e jashtëzakonshme të dyzimit- takimi me vetvehten e së ardhmes- bisedat dhe dialogjet ( dialog që është në të vertet monolog dhe dialog njëherësh)- e gjithë historia e Moskës, është dhe pjesa më e strukturuar dhe më e bukur e gjithë librit, aq sa të duket se Dostojevski, H. G. Wells dhe George Orwell janë bashkuar për një çast fatlum njëherësh!

I gjithe libri është shkruar me një Kulturë autoritare-me një saktësi stilistikore dhe gjuhësore. Mund të lexohet si një roman klasik realist, ngase personazhet e librit janë njerëz real, mund të lexohet si një thriller, si një libër post-modernist, mund të lexohet si një libër fantast (bota e magjistarëve), madje dhe si një libër historik- kjo shumëplanësi shtresash veçse flet në të mirën e librit. Romani është i planeve të hapura. Pyetjes se kush janë Profetët e rremë në këtë liber- Hitleri, Stalini, Mao, apo dhe ay messiah i rremë i Hebrenjëve, Shabbetai Tzavi, që vdiq në qytetin shqiptar të Ulqinit dhe që arriti të kërcënojë autoritetin rabbinikal në Europë dhe në Lindje e Mesme me aventurat e veta fashinante? Apo profetët modern të kohnave të sotëm? Apo profetët e rremë që do të vijnë? Po ashtu, tinzare, me atë ngërdheshjen groteske dhe hakmarrëse të pikturës së Boschit?

Vete autori i pergjigjet kesaj pyetje me atë shënimin e vet, teksa e paralajmëron lexuesin se libri i tij nuk shpjegon , dhe se vete Lidhja më thelbësore mbetet e padukshme dhe, ndoshta e pathënë.