Profesor Latif Berisha dhe koha e tij, përvojë që nuk shlyhet kurrë - Gazeta Express
string(66) "profesor-latif-berisha-dhe-koha-e-tij-pervoje-qe-nuk-shlyhet-kurre"

OP/ED

Gazeta Express

25/03/2023 9:03

Profesor Latif Berisha dhe koha e tij, përvojë që nuk shlyhet kurrë

OP/ED

Gazeta Express

25/03/2023 9:03

Është fatlum ai vend, thotë logjika e historisë, kur masa i troket në derë liderit dhe jo lideri masës…; Njerëzit e Mitrovicës, ndoshta ndryshe nga qytetet e tjera të Kosovës, kishin gjetur në personin e tij elementin më koheziv, ngjashëm si çifutët Talmudin dhe filozofinë e mesiasë së premtuar, ndaj, edhe kur ndodhën bifurkimet politike dhe u dëgjuan krismat e armëve për liri, ai vazhdonte të respektohej njësoj prej të gjitha palëve. Dhe, falë këtyre cilësive të tij, ai ishte bërë ndër njerëzit më të urryer të regjimit serb të Millosheviqit.

Shkruan: Enver Hasani

Lexo Edhe:

Njëzetë e katërvjetori i vrasjes së profesor Latif Berishës, këtij tribuni të vërtetë kosovar, nga forcat e verbra të militarizmit serb, na shtynë ta kujtojmë atë edhe një herë publikisht, si një memento të vetë qenies sonë. Aq më parë që pas kësaj dhe, veçanërisht, në dritën e ngjarjeve e ndodhive të kësaj hapësire, personaliteti i tij, përmes mungesës tragjike, vihet edhe më shumë në spikamë. 

Latif Berisha, falë edhe shekullit të tij jetësor, reflekton pothuaj të gjitha vlimet dhe përcaktimet nëpër të cilat kaloi Kosova e pas Luftës së Dytë Botërore, ose, shprehur me zhargonin politik, fatin e saj gjatë Jugosllavisë së dytë e të tretë. Duhet pasur parasysh se periudha e pasluftës nën regjimin komunist, nuk mund të merret homogjene dhe, rrjedhimisht, as edhe sjellja e synimet morale, intelektuale e kombëtare të shqiptarëve. Në kushtet e një status quo-je të imponuar, si nga brenda ashtu dhe jashtë federatës jugosllave, qenë paracaktuar disi edhe kahjet e veprimeve të intelektualëve kosovarë, ndër të cilët bënte pjesë i ndjeri profesor Latifi. Në të tilla raste, siç thotë Goethe, diplomacia e jetës mbetet mjeti më efikas, por gjithsesi, me dy presa. Në rrethanat e atëhershme të Kosovës, pra, sinori që ndante veprimtarin kulturor prej konformistit, ishte tepër i hollë. Latif Berisha, i futur tashmë në kapilarët e mendimit letrar, madje të një periudhe fine e plotë fantazi, siç është romantizmi, ishte fare i ndërgjegjshëm për këtë. Në të vërtetë, ai i përkiste asaj gjenerate që, para vetës kishte plot mundësi tunduese. Më saktë: të ishte pionier i një rilindjeje shpirtërore e mendore të shqiptarëve, gjithnjë brenda caqeve iluministe, ose t’i dorëzohej kompromisit, për të gëzuar joshjet hedoniste që i cyste tërthorazi e drejtpërdrejt regjimi në fuqi. Shfrimet e tija të para poetike dhe mjedisi ku ai mori shtat si intelektual (kujtojmë këtu me respekt të madh shoqatën “Përpjekja” të studentëve shqiptarë në Beograd dhe organin e vetëm të shprehjes letrare, revistën “Jeta e Re”), ishte gurra e shëndetshme kombëtare, prej së cilës u ushqye ai. Profesor Latifi bënte pjesë në ajkën e këtij mjedisi dhe, si i tillë, do të mbetej deri në fund, kur dora mizore serbe shtiu pabesisht mbi të.

Falë natyrës dhe edukatës që mori, Prof. Latif Berisha nuk ishte prej atyre që shpërthejnë me impulse të pakontrolluara ose që bien në konflikte të pamenduara mirë. Prandaj, njerëz si ai, me butësinë dhe tolerancën e tyre, nganjëherë, sidomos në kohë të egra dhe arbitrare, mund të krijojnë te të tjerët iluzionin e një vullneti të dobët ose të një çinteresimi radikal. Sigurisht, Kosova ka pasur disa momente kulmore shpërthimi, kur edhe njeriu më i ekuilibruar mund të dilte prej “natyrës së vet” e t’i jepej rrymës. Por Latif Berisha tashmë e kishte rrënjosur në tru misionin e vet: ai, si një pjesë e shquar e intelektualëve tanë, përgatiste plejadën e veprimtarëve, të cilët, me energjinë dhe shpirtin e admirueshëm të sakrificës, do të përgatisnin e realizonin përmbysjen e ardhshme. Mendojmë se këto raporte delikate midis veprimtarëve dhe frymëzuesve të tyre të heshtur kanë nevojë për një ndriçim të gjithanshëm, në mënyrë që të dalë në pah ajo bazë e gjerë rezistence kosovare që siguroi mbijetesën tonë. Këtej buron dhe misioni historik që luajti Universiteti i Prishtinës, ku Profesor Latifi për tridhjetë vjet me radhë mbajti ligjërata. Ashtu sikundër në kopshtin e letërsisë shqipe, zëri i tij do të mbetet përherë kumbues e tërheqës.

Por, erdh një moment, kur edhe karaktere të tilla duhej të hynin në politikën e drejtpërdrejtë. Vendosja e pluralizmit në Lindje, pas rënies së Murit të Berlinit, për shqiptarët e Kosovës kishte një kuptim të dyfishtë: për ta qe thyer, kishte dështuar, jo vetëm një ideologji e huaj, por edhe qendra vitale e sllavizmit, Rusia. Ajo përfundimisht kishte humbur peshën e vet historike. Ndaj, pavarësisht nga shfaqjet e jashtme brutale, bashkë me Rusinë kishte marrë teposhtën edhe krijesa e saj, Serbia. Ishte kjo prerja ideale e një epoke, të cilën breza të tërë shqiptarësh e kishin ëndërruar. Profesor Latifi, me kulturën dhe intuitën që kishte, pa dyshim që e kishte kuptuar këtë gjë më mirë se shumëkush. Mitrovica, ky avanpost shqiptar, ashtu si e gjithë Kosova, po e ndjente hapjen e horizontit të ri. Duheshin vetëm njerëz që të administronin mirë shansin historik dhe, në përputhje me kërkesat e formuluara në mënyrë plebishitare, të dilnin në ballë të punëve. Ndërkaq, filozofia e rezistencës paqësore, e përvetësuar aso kohe po ashtu pothuaj me plebishit, kishte kërkesat e saja specifike. Një proverb francez thotë: “Pesha, sado e lehtë që të jetë, në një shtegtim të gjatë vjen e rëndohet”. Prandaj, brezi i veprimtarëve të rinj, të vetëdijshëm për këtë frymë dhe imperativ, kërkoi me ngulm që në krye të tyre të vihej njeriu i pastër, largpamës, i urtë e kurajoz, njeriu me emrin Latif Berisha. Për këtë famë të vetvetishme të tij ai kishte investuar gjatë gjithë jetës. Është fatlum ai vend, thotë logjika e historisë, kur masa i troket në derë liderit dhe jo lideri masës. Në këtë kuptim ai i kishte të rrallë shokët. Dhe, kur pranoi të angazhohej, ishte e shkruar në ballë se atë nuk do ta zmbrapste prej qëllimit të tij asnjë kërcënim a dobësi. Parë në këtë optikë, Latif Berisha zë një vend nderi, si pakkush në plejadën e veprimtarëve të LDK-së, të një LDK-je që ai e kishte perceptuar vërtet si një lëvizje mbarëpopullore, e kurrsesi si kufizim partiak a ideologjik. Pikërisht në saje të këtij perceptimi, mendoj, ai i shpëtoi frymës së ngushtë të grupit dhe ruajti qartësinë, edhe kur u shfaqën realitetet e reja dhe peizazhi politik kosovar po ndryshonte. Njerëzit e Mitrovicës, ndoshta ndryshe nga qytetet e tjera të Kosovës, kishin gjetur në personin e tij elementin më koheziv, ngjashëm si çifutët Talmudin dhe filozofinë e mesiasë së premtuar, ndaj, edhe kur ndodhën bifurkimet politike dhe u dëgjuan krismat e armëve për liri, ai vazhdonte të respektohej njësoj prej të gjitha palëve. Dhe, falë këtyre cilësive të tij, ai ishte bërë ndër njerëzit më të urryer të regjimit serb të Millosheviqit.

Historia rrëfen se në të gjitha përplasjet e armatosura, kur pasioni gjakatar i pushtuesit nuk njeh kurrfarë arsyeje, gjenden individë që bëjnë sfidën e madhe, atë të ruajtjes së pragut të shtëpisë. Është kjo një qëndresë stoike që, nganjëherë, e tremb armikun më shumë se edhe vetë arma. Sepse superioriteti moral është shuplaka më e fuqishme që mund t’i jepet një tirani. Prandaj, kushdo që e ka njohur nga afër prof. Latif Berisha, e ka çmuar shumë edhe për një veti tjetër, që te ne nuk është me aq bollëk: modestinë e tij.

Gjatë rezistencës paqësore dhe në prag të luftës, pati përpjekje të ndryshme për të iniciuar dialogun midis shqiptarëve dhe serbëve. Pati dhe forume të ndryshme lokale e ndërkombëtare, ku rraheshin e trajtoheshin temat e nxehta të Kosovës. Latif Berishën, jo për mungesë kapaciteti intelektual e politik, nuk e shohim të jetë i pranishëm. Janë të tjerë që mbahen më elokuentë, më agresivë e më pretendues. Por u desh të vinte fushata e spastrimit etnik, e atyre masakrave të paimagjinueshme, që të dilte në dritë edhe njëherë thelbi i tij njerëzor e qytetar. Me qëndrimin e tij në truallin e vet, ai sikur ridikulizonte çdo falsitet dhe shtirje patriotike a revolucionare. Ishte koha kur nuk mbahej më asnjë maskë. Dhe pikërisht atëherë doli madhështia e tij. Serbët e dinin këtë gjë, ata e njihnin shumë mirë Latif Berishën. Duke qenë pengesë e pakapërcyeshme për planet e tyre, ata zgjodhën si mjet të vetëm zhdukjen e tij fizike. Për Kosovën e mbasluftës, kur betejat zhvendoseshin në tjera fusha okulte, njerëz si Profesor Latifi e Profesor Agani mund t’i paralizonin ato dhe të rienergjizonin çështjen kosovare. Ndaj ata duheshin çuar në atë botë, qoftë dhe si martirë të një kombi martir. Ajo që na mbetet ne, është të provojmë se, megjithatë, ka kush i bën ballë stratagjemës së re serbe. Për mua, njohja me urtakun Latif Berisha ka qenë më shumë se nder e privilegj: përvojë që nuk përsëritet kurrë më për gjeneratën e njëjtë. Dua të them se përveç Serbisë që mbetet e njëjtë, krejt tjetër ndryshon nga koha kur e njoha profesor Latifin.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtar)