Problemi i zakonshëm i gjumit që E TREFISHON rrezikun për të vdekur herët – a jeni në rrezik? - Gazeta Express
string(90) "problemi-i-zakonshem-i-gjumit-qe-e-trefishon-rrezikun-per-te-vdekur-heret-a-jeni-ne-rrezik"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

24/06/2025 19:54

Problemi i zakonshëm i gjumit që E TREFISHON rrezikun për të vdekur herët – a jeni në rrezik?

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

24/06/2025 19:54

Vuani nga makthet e shpeshta? Sipas një studimi të ri, ju mund të jeni tri herë më të rrezikuar për të vdekur një dekadë më herët sesa një person mesatar.

U zbulua se makthet javore ishin një tregues edhe më i fortë i vdekjes së hershme sesa pirja e duhanit, obeziteti, dieta e dobët dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Fëmijët dhe të rriturit me makthe të shpeshta gjithashtu treguan një plakje biologjike më të shpejtë, e cila përbënte rreth 40 për qind të shpjegimit për rritjen e rrezikut të vdekjes së hershme.

Edhe makthet mujore ishin të lidhura me plakje më të shpejtë dhe rritje të vdekshmërisë, krahasuar me ata që rrallë ose kurrë nuk i përjetojnë ato.

Studiuesit pas këtij hulumtimi, nga Imperial College London, thanë se lidhja vjen ndoshta nga efektet e dëmshme të gjumit të shqetësuar dhe stresit që shkaktojnë makthet në qelizat e trupit tonë.

Dr. Abidemi Otaiku, studiues në shkencat e trurit në Imperial College London, i cili udhëhoqi ekipin, tha:

“Ky reagim stresi mund të jetë edhe më i fortë se çdo gjë që përjetojmë gjatë zgjimit. Truri ynë gjatë gjumit nuk mund të dallojë ëndrrat nga realiteti. Prandaj makthet na zgjojnë shpesh të djersitur, me frymëmarrje të rënduar dhe me zemrën që na rreh fort — sepse është aktivizuar reagimi ‘lufto ose ik’.”

Ai shtoi:

“Makthet shkaktojnë ngritje të zgjatura të kortizolit, një hormon stresi që lidhet ngushtë me plakjen më të shpejtë të qelizave.

Ato gjithashtu e dëmtojnë cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit, çka e pengon trupin të rigjenerojë veten dhe të riparojë qelizat gjatë natës.”

Dr. Otaiku ndau edhe disa “masa të thjeshta” që publiku mund të marrë për të parandaluar makthet që në fillim:

“Të shmangen filmat e frikshëm, të ruhet higjiena e mirë e gjumit, të menaxhohet stresi dhe të kërkohet trajtim për ankthin apo depresionin mund të jenë masa efektive,” këshilloi ai.

Ai gjithashtu rekomandoi një lloj terapie psikologjike të quajtur terapia e rishkrimit të imazhit (image rehearsal therapy).

Kjo përfshin rishkrimin dhe stërvitjen e një makthi në një version më pak të frikshëm dhe mund të bëhet edhe në shtëpi.

Por për ata që vuajnë nga makthe të shpeshta që ndikojnë në cilësinë e jetës, mund të jetë e dobishme të konsultohen me një specialist të gjumit, shtoi ai.

Në veçanti, ai sugjeroi një formë tjetër terapie bisedimi të quajtur CBT-I (terapia konjitive-biheviorale për pagjumësinë), e cila sipas studimeve jo vetëm zvogëlon makthet, por edhe ngadalëson plakjen e qelizave të trurit.

Kjo teknikë synon të ndihmojë njerëzit me pagjumësi të adresojnë mendimet dhe sjelljet themelore që kontribuojnë në problemet e gjumit.Studime të fundit kanë treguar se mungesa e gjumit rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, obezitet dhe vdekje përkatësisht me 83 për qind, 82 për qind dhe 40 për qind.

Por studiuesit nga Imperial College dhe Instituti i Kërkimeve për Demencën në Londër janë të parët që tregojnë se frekuenca e maktheve është një tregues i vdekjes së hershme.

Ekipi analizoi të dhënat nga 2,429 fëmijë të moshës 8 deri në 10 vjeç dhe 183,012 të rritur të moshës 26 deri në 86 vjeç, përgjatë një periudhe 19-vjeçare.

Frekuenca e maktheve te të rriturit u vetë-raportua në fillim të studimit, ndërsa pjesëmarrësit u ndoqën deri në 19 vjet.

Te fëmijët, frekuenca e maktheve u raportua nga prindërit në fillim të studimit.

Zbulimet e ekipit u paraqitën në Kongresin e Akademisë Evropiane të Neurologjisë (EAN) më 23 qershor 2025.

Ata zbuluan se ata që raportuan mesatarisht një makth në javë gjatë një dekade, kishin tri herë më shumë gjasa të vdisnin para moshës 70 vjeç, krahasuar me ata që nuk kishin makthe.

Meshkujt në Angli jetojnë mesatarisht deri në 78.8 vjeç dhe femrat deri në 82.8, sipas të dhënave më të fundit.

Këto të gjetura vijnë pas një studimi tjetër të fundit që tregoi se gjumi gjatë ditës lidhej gjithashtu me një rrezik më të lartë të vdekjes së hershme.

Zbulimi u bë nga studiues që ndoqën zakonet e gjumit të më shumë se 86,000 të rriturve të shëndetshëm të moshës së mesme.

Ata zbuluan se ata që flinin rregullisht gjatë ditës — veçanërisht pasdite — kishin më shumë gjasa të vdisnin para kohe se ata që nuk flinin.

Studimi, i paraqitur në konferencën SLEEP 2025, zbuloi se rreziku i vdekjes u rrit deri në 20 për qind te ata që bënin gjumë të shpeshtë gjatë ditës.

Ekspertët thanë se përgjumja gjatë ditës mund të jetë një shenjë paralajmëruese e gjumit të shqetësuar apo me cilësi të dobët natën, dhe mund të tregojë për probleme të tjera shëndetësore si çrregullimet e gjumit, demenca ose pamjaftueshmëria e zemrës.

Profesori James Rowley nga Rush University Medical Center në Çikago, i cili nuk ishte pjesë e studimit, tha se gjetjet duhet të ndikojnë në mënyrën si mjekët pyesin pacientët për gjumin.

“Mesazhi kryesor është se nëse një mjek pyet për zakonet e gjumit të një pacienti, ai duhet të pyesë edhe për dremitjet,” tha ai për Medscape Medical News.

“Me fjalë të tjera, mjekët duhet t’u drejtohen pacientëve me pyetjen: ‘A dremisni gjatë ditës?’” /GazetaExpress/