Liverpooli shpreson që Joe Gomez të rikthehet në stërvitje para përballjes së së dielës kundër Manchester Cityt në Premierligë, ndërsa Jeremie Frimpong mbetet ende jashtë fushave.
Gomez pësoi një lëndim në ijë pas një përplasjeje aksidentale me bashkëlojtarin Alisson Becker gjatë humbjes dramatike ndaj Bournemouth muajin e kaluar.
Si pasojë, mbrojtësi mungoi në fitoren 6-0 në Ligën e Kampionëve kundër Qarabag dhe në triumfin 4-1 ndaj Newcastle në kampionat, por mund të rikthehet në skuadër për ndeshjen e rëndësishme të së dielës kundër Manchester Cityt në “Anfield”.
Ndërkohë, mbrojtësi i djathtë Frimpong vazhdon të jetë i padisponueshëm pasi u detyrua të largohej herët nga loja kundër Qarabag për shkak të një problemi në ijë dhe pritet të mungojë për “disa javë”.
“Jeremie Frimpong nuk është i gatshëm për fundjavën. Për Joe Gomez shpresojmë që të stërvitet të shtunën, ndoshta mund të jetë i disponueshëm për të ndihmuar në ndeshje, sepse nuk kemi shumë mbrojtës në dispozicion,” tha trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Cityn të enjten.
Liverpooli ka pasur mungesa të dukshme në mbrojtje kohët e fundit, me mesfushorin Ryan Gravenberch që u detyrua të luante në qendër të mbrojtjes përkrah kapitenit Virgil van Dijk kundër Qarabag, ndërsa Wataru Endo u aktivizua si mbrojtës i djathtë pas daljes së hershme të Frimpongut.