Barcelona dhe Paris Saint-Germain do të përballen javën e ardhshme në Champions League, por të dyja skuadrat hyjnë në ndeshje me probleme të mëdha dëmtimesh.
Barcelona e mori konfirmimin të mërkurën në mbrëmje se do të mungonin dy titullarë, ndërsa PSG po përballet me mungesa edhe më të rënda.
Fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembélé, tashmë ishte një dyshim i madh pas dëmtimit gjatë grumbullimit me Francën, por Luis Enrique mund të detyrohet të bëjë pa tre titullarë të tjerë.
Sipas “Marca”, kapiteni Marquinhos ka pësuar një dëmtim në kuadriceps dhe ka munguar në stërvitjen e së premtes.
Ai do të humbasë ndeshjen e fundjavës kundër Auxerre, por gjithashtu është një dyshim i madh për udhëtimin në Montjuic.
Marquinhos iu shtua listës së dëmtimeve ku tashmë janë Dembélé, Désiré Doué dhe João Neves — të gjithë titullarë në finalen e Champions League sezonin e kaluar.
Luis Enrique u shpreh me qetësi për situatën:
“Nuk jam i shqetësuar. Ky është niveli më i lartë. Ka shumë dëmtime, por ne mund të mbështetemi tek lojtarët e Akademisë. Është e rëndësishme si për ta, ashtu edhe për ne.”
Për Marquinhos ai shtoi: “Ndjeu pak dhimbje. Asgjë serioze, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos rrezikojmë.”
Nga ana tjetër, Barcelona tashmë e dinte që do të mungonin Fermín López, Gavi dhe Marc-André ter Stegen, por të premten mori dy goditje të reja.
Raphinha doli i dëmtuar në ndeshjen kundër Real Oviedo dhe do të mungojë për tre javë, ndërsa portieri titullar Joan Garcia pritet të qëndrojë edhe më gjatë jashtë fushave, pasi të shtunën do t’i nënshtrohet një operacioni në gju./GazetaExpress/