Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së martës në Cortona të Italisë, ku një shqiptar humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor. Viktima është E.Gjoci, 39 vjeç. Ai ndodhej në anë të rrugës duke pritur një koleg për të shkuar në punë, kur u godit për vdekje nga një automjet.
Sipas mediave italiane, automjeti drejtohej nga një 19-vjeçar që kishte marrë së fundmi patentën. Dyshohet se i riu humbi kontrollin e mjetit, doli nga rruga dhe përplasi për vdekje Gjocin. Ekipet e ndihmës mjekësore mbërritën menjëherë në vendngjarje, por fatkeqësisht 39-vjeçari nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.
Prokuroria e Arezzo-s ka nisur hetimet për “vrasje rrugore”, ndërsa drejtuesi i mjetit është vendosur nën hetim. Testet për praninë e alkoolit rezultuan negative.