Prishtina ndahet me trajnerin që e vlerësonte si “kampion moral” - Gazeta Express
string(62) "prishtina-ndahet-me-trajnerin-qe-e-vleresonte-si-kampion-moral"

Moral Pozhegu

16/09/2020 12:12

Prishtina ndahet me trajnerin që e vlerësonte si “kampion moral”

Moral Pozhegu

16/09/2020 12:12

FC Prishtina i ka ndarë përfundimisht rrugët me Armend Dallkut, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Një ndarje e papritur dhe e çuditshme, e cila flitej se do të ndodhte qe disa ditë, por që është zyrtarizuar vetëm sot.

Trajneri Dallku vlerësohej lart nga ekspertët e futbollit për eksperiencën që e pati brenda kësaj periudhe në “Fadil Vokrri” dhe për punën që e bëri tek kryeqytetasit.

Ai e fitoi Digitalb Kupën e Kosovës me Prishtinën, duke e siguruar njëkohësisht pjesëmarrjen në Europa League, ndërsa ishte edhe në garë për titull të kampionit deri disa xhiro pa përfunduar sezoni 2019/2020.

Por, kjo duket se nuk ishte e mjaftueshme për drejtuesit e Prishtinës, të cilët i treguan edhe arsyet e ndarjes përmes një komunikate.

“Prishtina e ka shkëputur bashkëpunimin me marrëveshje reciproke me kryetrajnerin Armend Dallku. Dallku, si trajner i Prishtinës, skuadrën e ka udhëhequr në 35 ndeshje zyrtare (72% të suksesit, 23 fitore, 7 barazime dhe 5 humbje me goldallim 73:25) dhe është trajneri më i ri i klubit me trofeun e fituar të Kupës së Kosovës. Ish-kapiteni i skuadrës ka regjistruar si futbollistë i Prishtinës 151 ndeshje zyrtare.  Dallku do të mbetët ndër trajnerët më me autoritet i skuadrës. FC Prishtina i uron sukses në vazhdim të karrierës”, ka shkruar klubi kosovar.

Çarja e raporteve në mes të trajnerit vushtrrias dhe klubit prishtinas kishte ndodhur kur prishtinasit kishin kërkuar nga ai garanci për ta fituar titullin e kampionit me përforcimet që do t’i bënin.

Mirëpo, ish-futbollisti i njohur kosovar nuk e ka pranuar këtë lloj kushti, duke vlerësuar se në futboll nuk i dihet kurrë dhe se nuk mund të garantosh asgjë.

Dallku ndahet kështu me Prishtinën pas vetëm një viti si trajner, ku bëri punë të mrekullueshme, duke krijuar rregull dhe rend dhe puna e tij ishte vlerësuar edhe nga vetë krerët e klubit.

Madje, ata e vlerësonin Dallkun si “kampion moral”, pasi konsideronin se klubit i ishin bërë padrejtësi gjatë sezonit të fundit.

Shumë shpejt, prishtinasit do ta zyrtarizojnë trajnerin e ri, i cili pritet të jetë Zekirija Ramadani. /Gazeta Express/