Këtë shtator, Prishtina është nikoqire e Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor 2025. Folëm pak me Dardana Fetahun për randësinë e forumit edhe çka po dojnë t’rijtë?
Këtë shtator, siç raporton podkasti Suzanne që emitohet edhe në T7, Prishtina bëhet ‘shtëpia’ e Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor 2025 (WBYF 2025), një platformë që nga viti 2021 po i mbledhë të rinj nga gjithë rajoni për dialog, shkëmbim përvoje dhe avokim – në kuadër të Procesit të Berlinit. Sivjet, nga 16–19 shtator, mbi 110 pjesëmarrës prej krejt Ballkanit kanë m’u mbledhë për m’i diskutu tri tema kyçe: migrimin, sigurinë dhe rritjen ekonomike – dhe për m’i përkthye këto diskutime në rekomandime konkrete për politikanët e rajonit që kanë m’u mbledhë për Samitin e liderëve në Londër.
“Është i randësishëm edhe është i bukur”
Në intervistën e saj për Suzanne, Dardana Fetahu nga organizata që përkrah nismat rinore në krejt Ballkanin e që quhet RYCO, e përshkrun randësinë e Forumit si hapësinë ku të rinjtë, përballë shoqnive të “politizume e polarizume”, mujn me u angazhu, frymëzu, diskutu dhe me ofru zgjidhje për hallet e gjeneratave t’reja.
“Pikërisht këtu hyn randësia e Forumit. Këtë vit Forumi ka me dhanë hapësinë ku të rinjtë kanë me u frymzu, me diskutu e me formulu rekomandime konkrete në fusha kyçe si siguria, zhvillimi ekonomik edhe migrimi… Prandaj, po. Është i randësishëm edhe është i bukur.”
Sfida të përbashkëta, shpresa të përbashkëta
Nga mosbesimi në institucione, dhuna me bazë gjinore, deri te migrimi e pasiguria për me qenë aktiv – të rinjtë në Ballkan përballen me probleme pothuajse identike, pa marrë parasysh se prej kahit vijnë.
“Hulumtimet edhe përvoja prej punës së RYCO-s me të rinjtë e Ballkanit Perëndimor na tregojnë qartë që sfidat e tyne janë shumë të ngjashme, pa marrë parasysh ku jetojnë.”
Forumi është mendu si mekanizëm për m’i kthy këto shqetësime në politika dhe vendimmarrje, tu i angazhu jo vetëm organizatat rinore e komunitetet e margjinalizume, por edhe tu u siguru që zani i të rinjve m’u dëgju në tavolinat politike evropiane.
Nga stereotipet tek ura bashkëpunimi
Një nga sfidat ma të mëdha mbetet mungesa e edukimit paqësor dhe stereotipet etnike që i mbajnë të rinjtë larg njëri-tjetrit. Siç thekson Fetahu:
“Edhe kur jetojnë në shoqni shumëkulturore, tregojnë se janë të ekspozuem veç ndaj narrativave të njanshme, që veç e theksojnë ndasinë.”
Megjithatë, programet si Supershkollat apo Fondi i Kulturës kanë tregu se kur u jepet mundësia, të rinjtë kanë gatishmëri për me sfidu këtë narrativë të mbyllur.
Kultura si gjuhë e përbashkët
Festivale si Sunny Hill apo Dokufest nuk janë vetëm argëtim, por edhe laboratorë të bashkëpunimit rajonal.
“Në festivale… të rinjtë nga gjithë rajoni ndajnë të njëjtin emocion për muzikën apo filmin, duke e parë njëri-tjetrin jo përmes paragjykimeve apo dallimeve etnike, por përmes përjetimeve të përbashkëta.”
RYCO ka ngritur Fondin e Kulturës për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor, tu e pa artin si hapësinë të sigurt ku mujn me lindë ura komunikimi dhe empati që shpesh politika i pengon.
Nga Prishtina në Londër
Forumi ka m’u përmbyllë me miratimin e Raportit Rinor 2025, ndërsa gjashtë delegatë të përzgjedhun kanë me prezantu atë drejtpërdrejt në Samitin e Procesit të Berlinit në Londër. Ky hap jo veç që i jep zâ të rinjve në nivelin ma të nartë politik, por edhe e forcon rolin e tyre si bashkëkrijus të një Ballkani ma demokratik, paqësor dhe ekonomikisht të qëndrueshëm.