Prishtina – Larne shkon në vazhdime pas një sfide dramatike në "Fadil Vokrri" - Gazeta Express
string(73) "prishtina-larne-shkon-ne-vazhdime-pas-nje-sfide-dramatike-ne-fadil-vokrri"

Futboll

Gazeta Express

31/07/2025 21:57

Prishtina – Larne shkon në vazhdime pas një sfide dramatike në “Fadil Vokrri”

Futboll

Gazeta Express

31/07/2025 21:57

Ndeshja e kthimit mes Prishtinës dhe Larne ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1 pas 90 minutave të kohës së rregullt, duke detyruar dy skuadrat të shkojnë në vazhdime, ku do të përcaktohet ekipi që kalon në raundin tjetër të Ligës së Konferencës.

Para një atmosfere elektrizuese në stadiumin “Fadil Vokrri”, ishte skuadra vendase ajo që kaloi e para në epërsi. Në minutën e 10-të, mesfushori Gjilbrim Taipi shënoi një gol të veçantë, duke realizuar nga një goditje indirekte – një gol i rrallë që u përshëndet me duartrokitje të forta nga tifozët.

Prishtina dominoi pjesën e parë, duke krijuar disa raste të rrezikshme dhe kontrolluar ritmin e lojës, por pa arritur të dyfishojë epërsinë. Në pjesën e dytë, edhe pse vazhdoi me iniciativën, skuadra nga kryeqyteti u ndëshkua në një moment pakujdesie.

Në minutën e 56-të, pas një ndërprerjeje dhe tollovie në zonën e Prishtinës, ishte Bent ai që përfitoi më së miri, duke barazuar rezultatin në 1-1 dhe duke rikthyer shpresat për ekipin nga Irlanda e Veriut.

Pas golit të barazimit, Prishtina ndërtoi disa aksione të mirëfillta, por fati dhe konkretizimi para portës munguan. Përkundër përpjekjeve intensive, rezultati nuk ndryshoi deri në fund të kohës së rregullt.

Tashmë, fituesi i këtij dueli do të vendoset në vazhdime, me dy herë nga 15 minuta. Nëse rezultati mbetet i barabartë edhe pas kësaj periudhe, ndeshja do të shkojë në gjuajtje të penalltive.

Tifozët e Prishtinës janë ende në pritje të një kualifikimi historik, ndërsa emocionet pritet të arrijnë kulmin në minutat shtesë. /Gazeta Express/