FC Prishtina ka njoftuar sot se i ka huazuar tre futbollistë për sezonin 2025/26.
Bëhet fjalë për Ardi Ajdinin, Drin Bajraktarin dhe Flori Spahijajn.
Ky i fundit ishte transferuar së fundmi tek klubi Bardhekaltër nga Vllaznia, shkruan “Gazeta Express”.
Ai ishte mjaft i dashur nga tifozët shkodranë, të cilët madje e kishin kontestuar vendimin e kryesisë për ta lëshuar një lojtar me aq shumë potencial për të ardhmen.
Spahijaj kishte oferta nga dy klubet e Tiranës, Dinamo City e Ilir Dajës dhe nga Partizani, por në fund vendosi që karrierën ta vazhdojë në futbollin kosovar.
Madje, kishte luajtur edhe për grupmoshat e reja të Kombëtares shqiptare.
E tash, kryeqytetasit njoftojnë se e dhanë në formë huazimi tek Vjoda e Shtimes pasi konsiderojnë se kjo është një mundësi e mirë për Florin që ta shfaqë potencialin e tij dhe të kontribuojë në suksesin e klubit gjatë kampionatit.
Pasi të zhvillojë ndeshje dhe të ketë vazhdimësi, Spahijaj mund të rikthehet tek klubi më i madh kosovar për t’i treguar vlerat e tij të pakontestueshme. /Gazeta Express