FC Prishtina u mposht nga SC Gjilani me rezultat 1:2 në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të xhiros së 34-t të Superligës së futbollit.
Mirëpo, Bardhekaltrit pretendojnë se këtë ndeshje mund ta fitojnë me rezultat zyrtar, 3:0.
“Gazeta Express” merr vesh nga klubi më i madh në vend se kryeqytetasit kanë bërë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës me pretekstin se futbollisti i gjilanasve, Armend Thaqi nuk ka pasur të drejt loje.
“Sipas rregullores së garave për këtë edicion, kur një lojtar merr karton të kuq, automatikisht nuk ka të drejt loje për dy ndeshje. Ndërsa në rregulloren e vjetër ka pasur mundësi që t’i hiqet një ndeshje moslojë. Por, me rregulloren e re, nuk ka të drejt. Kështu që, futbollisti i Gjilanit, sipas rregullores së re nuk ka pasur të drejt loje. Edhe neve si Prishtinë na u pat suspenduar me dy ndeshje futbollisti i jonë Limani kur e ka hequr fanellën në Suharekë dhe nuk iu ka zbutur dënimi. Kështu që rregullorja do të duhej të jetë e njëjtë për të gjithë. Na është thënë jozyrtarisht se futbollistit në fjalë i është hequr një ndeshje moslojë, por nuk ka pasur asnjë njoftim apo vendim zyrtar. Ne nuk kemi parë askund, as delegati nuk ka qenë në dijeni. Por, edhe nëse kjo ka ndodhur, rregullorja e re nuk lejon të zvogëlohet dënimi nën dy ndeshje. Tash e presim vendimin nga Federata dhe shpresojmë në një vendim të drejt dhe rregullorja e edicionit 2024/25 të zbatohet për të gjithë njëjtë”, thonë nga FC Prishtina për “Gazetën Express”.
Pas humbjes së pësuar dje në stadiumin “Fadil Vokrri”, prishtinasit rrezikojnë të përfundojnë në barazh pasi gjenden veç tre pikë larg kësaj zone. /Gazeta Express