FC Prishtina 01 është fituese e Kupës së Kosovës në futsall. Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua pikërisht në shënim të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një ambient madhështor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, skuadra e Prishtinës 01 ia arriti të mposhtë skuadrën tjetër nga kryeqyteti Mabetex Prishtina, me rezultat 2:1
Ndeshjen finale e përcollën nga afër edhe krerët e FFK-së, presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu. Të dyja ekipet dhuruan lojë me ritëm të shpejtë dhe me aksione të rrjedhshme, derisa rivaliteti ishte maksimal.
Në pjesën e parë më kërcënues u shfaqën lojtarët e Mabetex Prishtinës, të cilët vazhdimisht ishin në kërkim të golit, por hasën në mbrojtje tejet të organizuar të kundërshtarit dhe si rrjedhojë 20 minutat e parë u mbyllën pa gola. Në pjesën e dytë loja ishte më e baraspeshuar, derisa rezultati u zhbllokua Shefki Kamberi në minutën e 29-të.
Tre minuta më vonë Mabetex Prishtina i barazoi shifrat me golin e Shqipron Brahimit, duke e bërë fundin e ndeshjes tejet dramatik. Megjithatë, për fituesin e kësaj finaleje u përkujdes Elijesa Neziri, i cili u tregua i saktë nga penalltia në minutën e 37-të.
Në tre minutat e mbetura lojtarët e Mabetex Prishtinës u vërsulën me të gjitha forcat për të barazuar rezultatin, duke luajtur pa portier, por nuk ia arritën qëllimit. Në fund festa ishte e lojtarëve të Prishtinës 01, të cilët i gëzohen për herë të parë këtij trofeu.
Trofeun kapitenit Oso Gjinovci ia dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljen i ndanë anëtarët e Komisionit të futsallit, Rasim Gimolli, Agim Abdyli dhe Arben Zhjeçi, derisa medaljet për gjyqtarët i ndau Ismajl Kosumi.