Fotografi Steve Parke kujton se muzika e Prince e kishte mahnitur që herët dhe se, qysh i ri, i kishte vënë vetes një synim të qartë: një ditë do të punonte për të.
Gjatë viteve të shkollës së mesme dhe kolegjit, ai fotografonte grupe lokale. Për të siguruar hyrje në koncerte, u thoshte njerëzve se punonte për një gazetë, pa sqaruar se bëhej fjalë për gazetën e shkollës. Kështu arrinte të merrte leje për të fotografuar artistë të njohur si U2 apo Boy George.
Një nga rastet që i ndryshoi rrjedhën e karrierës ishte një koncert i Lionel Richie, ku në skenë doli edhe Sheila E, artiste e lidhur me rrethin e Prince. Parke bisedoi me kitaristin e saj dhe i tregoi se ishte fotograf dhe artist. Kur ai i kërkoi të vizatonte diçka, Parke bëri aty për aty një portret në një pecetë. Kjo njohje u bë ura që më vonë e afroi me botën e Prince.
Rreth periudhës së albumit Sign o’ the Times, ai mori një telefonatë ku i thanë se do ta merrnin me vete në projektet e Prince. Artisti kishte parë disa nga punët e tij dhe i kishin pëlqyer. Fillimisht, Parke u angazhua për të pikturuar një skenë, por shumë shpejt Prince e pyeti nëse kishte bërë edhe fotografi. Kjo ishte pika e kthesës.
Më pas ai u bë drejtor artistik në Paisley Park dhe fotografoi Prince nga viti 1988 deri në vitin 1996.
Sipas Parke, përvoja e tij me Prince ishte ndryshe nga ajo që shumë të tjerë përshkruanin. Askush nuk i kishte dhënë udhëzime të çuditshme si “mos e shiko në sy”. Ishte 25 vjeç dhe u soll natyrshëm, por me profesionalizëm, gjë që përputhej me mënyrën se si punonin bashkë. Prince shpesh i thoshte thjesht: “Kam një ide, merr kamerën.”
Ndonjëherë i kërkonte të fshinte ndonjë foto, nëse drita nuk kishte qenë e mirë ose imazhi kishte dalë i paqartë, por Parke thotë se Prince ishte jashtëzakonisht fotogjenik. Edhe pa grim, edhe në pamje më të thjeshta, ai arrinte të dukej shkëlqyeshëm pothuajse gjithmonë.
Fotografia për të cilën Parke flet me më shumë dashuri u realizua për revistën Notorious, një nga rastet e rralla kur ai u punësua nga dikush jashtë rrethit të Prince. Ishte për kopertinën e fundvitit dhe drejtori artistik i revistës donte që në barkun e Prince të shkruhej “1999”. Por Prince nuk e pranoi këtë ide. Ai donte diçka të re.
Në atë kohë, ai po fliste shpesh për lirinë e tij nga shtëpitë diskografike, ndaj propozoi që fjala të ishte “Free”.
Xhirimet nisën herët në mëngjes në Paisley Park, diçka jo e zakonshme për ritmin e tyre të punës. Skenografia ishte minimale: një sfond vjollcë dhe një dritë filmike. Drejtori artistik i revistës, i habitur nga thjeshtësia e setit, pyeti nëse vërtet kështu do të realizohej fotografia. Parke i tha se kjo ishte mënyra e tyre e zakonshme e punës. Më pas, ai sugjeroi të përdorej edhe një perde dushi për të zbutur dritën.
Kur erdhi momenti për të shkruar sloganin, Prince i tha personit që po përgatiste bojën e artë: “Steve do ta bëjë.” Parke mbeti i habitur. Por, para se ta kuptonte plotësisht çfarë po ndodhte, po shkruante me gishtat e tij fjalën “Free” në barkun e Prince.

Bojë ishte e ftohtë dhe kjo e bëri Prince të shpërthente në të qeshura, si një fëmijë. Ndërsa Parke mendonte vetëm të mos i rridhte boja dhe të pastronte shpejt duart për të vazhduar me fotografimin.
Prince i mbajti krahët hapur, me vetëdije se kjo pozë do ta theksonte edhe më shumë fjalën në bark.
Parke tregon se, duke qenë pak më i gjatë se Prince, kishte gjithmonë një kënd shumë të mirë për ta fotografuar. Prince ulte pak mjekrën dhe ngrinte sytë lart, duke krijuar atë vështrim të veçantë që e bënte kaq të dallueshëm në fotografi.
Ai kujton se Prince e pyeste shpesh pse njerëzit mendonin se kishte bërë ndërhyrje në hundë. Parke i shpjegonte se kjo përshtypje vinte nga mënyra si fotografohej: kur të tjerët e kapnin drejt nga përpara, tiparet dukeshin ndryshe, ndërsa këndet që përdorte ai i jepnin fytyrës më shumë formë dhe e bënin të dukej më këndor.
Në fotografi shfaqet edhe modelja Desray Junca, e cila kishte marrë pjesë më parë në videoklipin The Greatest Romance Ever Sold. Prince donte praninë e saj për t’i dhënë imazhit më shumë mundësi vizuale. Boja e artë në gishtat e saj krijon përshtypjen sikur ajo ishte personi që po e pikturonte.
Dhe, siç thotë vetë Parke me humor, askush nuk do të donte ta shihte atë ulur aty në vend të saj. /GazetaExpress/