string(98) "pretendimet-per-shkelje-disiplinore-kpk-themelon-nje-panel-hetimor-ndaj-nje-prokurori-ne-prishtine"

Lajme

Gazeta Express

29/09/2023 14:05

Pretendimet për shkelje disiplinore, KPK themelon një panel hetimor ndaj një prokurori në Prishtinë

Lajme

Gazeta Express

29/09/2023 14:05

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të premten në takimin e 234, ka themeluar Panelin Hetimor për pretendimet se një prokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka kryer shkelje disiplinore.

Anëtarët e këshillit vendosën që me 9 vota për dhe 1 abstenim, të themelohet Paneli Hetimor që do t’i hetojë shkeljet disiplinore të pretenduara nga Autoriteti Kompetent, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryesuesit, Jetish Maloku, i njëjti prokuror nuk i ka trajtuar faktet në mënyre objektive dhe profesionale duke e mbyllur një rast pa bërë hetime të mirëfillta.

“Sipas Autoritetit Kompetent, i njëjti prokuror nuk ka trajtuar faktet në mënyre objektive dhe profesionale dhe pretendohet se rastin e ka mbyllur pa bërë hetime të mirëfillta dhe se hetimi ishte drejtuar pikërisht vetëm në një pjesë të lëndës”, tha Maloku.

Maloku, po ashtu tha se prokurori në fjalë ka kryer shkelje që bien ndesh me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore, pasi që nga pranimi i lëndës në vitin 2018 e deri më tash nuk ka ndërmarrë veprime procedurale.

“Andaj sipas autoritetit kompetent është gjetur se prokurori në fjalë ka shkelur nenin 6 , paragrafi 2, pika 2.1 dhe pika 2.4 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pikërisht nga ky shkak se nga pranimi i lëndës në vitin 2018 deri më tani i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime procedurale sipas kompetencës që i takon një prokurori të shtetit”, tha Maloku.

Tutje, gjatë këtij takimi është miratuar raporti analitik i Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën kohore 2013- 2022.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit miratuan edhe Raportin vjetor të vitit 2022 për zbatimin e Planit të Veprimit të Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial 2022-2024.

Këshilli ka themeluar edhe Komisionin për Kushte të Tregut të Punës.

Ndërsa, me dyer të mbyllura ka vazhduar takimi i Këshillit për pikat tjera të rendit të ditës.

Në pikat që do të diskutohen me dyer të mbyllura janë: Raporti i Panelit Hetimor AD.nr.17/2023 ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Caktimi i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së, Kërkesa për Plotësimin dhe Ndryshimin e Planit të Personelit Administrativ për vitin 2023 dhe Kërkesa e përbashkët e dy prokurorëve të Shtetit për ndërrim të prokurorive.

Lidhur me shqyrtimin e këtyre pikave me dyer të mbyllura, KPK nuk ka dhënë asnjë arsyetim.