Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar intelektualen dhe veprimtaren, Nekibe Kelmendin, e cila vdiq 10 vite më parë.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kelmendi gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.
“Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës. Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik”, shkroi Osmani.
Presidentja shtoi se sot Kosovës i duhen gra e burra të dinjitetshëm sikur Nekibe Kelmendi.
“Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj. Ajo nuk u dorëzua para asnjë vështirësie. Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë sot e kësaj dite mbetet njëri ndër shembujt e vyer për jetësimin e shtetësisë së Kosovës. Sot Kosovës i duhen gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja”.
Sot bëhen dhjetë vjet që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi.
Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.
Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.