Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar me respekt 24 policët e rënë në krye të detyrës, duke theksuar se ata janë heronjtë modernë të shtetit që zgjodhën rrugën e nderit dhe mbrojtjes së atdheut.
“Përkulemi me respekt para 24 policëve që ranë në mbrojtje të jetës, lirisë dhe sovranitetit të vendit tonë. Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri janë heronj që i treguan botës se Kosova nuk përkulet përballë askujt”, tha Osmani.
Në shkrimin e saj në Facebook, Osmani kujtoi edhe 22 pjesëtarë të tjerë të policisë që humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se emrat e tyre “nuk do t’i mbulojë kurrë pluhuri i harresës”.
“Policia jonë është fortifikata e sigurisë në çdo pëllëmbë të Kosovës – në veri e jug, në paqe e në tension. Nderojmë sot jo vetëm rënien e tyre, por edhe përkushtimin e mijëra grave e burrave që çdo ditë i dalin zot këtij vendi”, u shpreh presidentja.
Ajo falënderoi Policinë e Kosovës për mbrojtjen e përditshme të atdheut, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: Lavdi përjetë të rënëve në krye të detyrës!