Presidentit nuk ka kush t’ia heqë mikrofonin - Gazeta Express
string(43) "presidentit-nuk-ka-kush-tia-heqe-mikrofonin"

Presidentit nuk ka kush t’ia heqë mikrofonin

Arben Idrizi

30/04/2020 13:21

Për shoqërinë kosovare (por unë nuk po flas në emrin e saj, vetëm po them bindjen time) është një fatkeqësi gati se ekstreme skena politike e përgjithshme po aq sa presidenti. Do të kishte me qenë një ngushëllim për t’u mburrur sikur të paktën të kishim pasur, në krahasim me këtë skenë kafshërore politike, një president të matur dhe të paanshëm

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Isaac Asimov thotë të ketë përdorur një regjistrues, si ndihmës në punën e tij krijuese, vetëm një herë në jetën e tij. Jo pse kishte dashur ai, por sepse ia kishin sugjeruar, në mënyrë që të mos humbiste shumë kohë me shkrimin: thjesht duhej të fliste me diktafonin, kudo që të ishte, kurdo që të donte, pastaj dikush tjetër, në rastin e tij gruaja e tij, do të hidhte në letër atë që ai e kishte hedhur në regjistrues. E megjithatë, nuk kishte funksionuar në mënyrën e duhur as në atë herë të vetme. Asimov rrëfen se gruaja kishte refuzuar të hidhte në letër tregimin në një moment të caktuar. Në momentin kur, i zhytur thellë në batutat e personazheve të veta, Asimov kishte regjistruar britma e klithma e dhunë verbale të cilën nuk kishte mundur ta përballonte gruaja, edhe duke e ditur shumë mirë se ishte thjesht një tregim i regjistruar në diktafon. Si mund të ngrinte zërin ashtu, burri i saj?! Këtë s’e kuptonte dot gruaja e tij. Madje, këtë nuk mund ta kuptonte dot as vetë autori. Një njeri i urtë dhe i edukuar, të ngrinte zërin ashtu? Çfarë turpi! Lamtumirë regjistrues!

Kam frikë se kjo do t’i dukej budallallëk shumë kujt, sidomos gjithë atyre që e kanë me qejf të dalin të flasin në publik, drejtpërdrejt apo përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit. Në më të shumtën e herave, gjithë këta, kur duan të parashtrojnë një problem, të japin një zgjidhje, të hedhin një ide, të përgjigjen në një akuzë, e probleme të ngjashme, e ngrisin zërin thua se janë duke regjistruar në diktafon batutat e ca personazheve, në këtë rast batutën e tyre personale.

Ua sheh për të madhe ndokush? Ndonjëherë po, e ndonjëherë, përkundrazi, i përgëzojnë. Varet nga vjen folësi dhe cilës audiencë i drejtohet. Dhe gjithmonë varet edhe nga autoriteti. Kur e “regjistron”, do të thotë kur e komunikon drejtpërdrejt në televizion një dhunë të tillë verbale brutale presidenti i vendit, i cili në parim duhej të ishte autoriteti më unifikues i shoqërisë, zor se do të ketë ndonjë që do ta përgëzojë, përveç pak të “detyruarve” përreth tij. Aq më keq, në një situatë kur, në parim, pritet që ai t’i shuajë zjarret e urrejtjes dhe mosdurimit politik dhe në të njëjtën kohë, mjerisht, dyshohet se ai do ta favorizojë një palë në luftën e tij personale ndaj një pale tjetër.

Pra, a ka dikush pranë presidentit që t’i thotë se nuk ia shtyp dot atë që ka regjistruar në diktafon? Apo fatkeqësia e tij është e dyfishtë: nuk e kupton çka bën (nuk dëshiron t’ia dijë çfarë po bën; është thellësisht i vendosur ta çojë deri në fund inatin dhe interesin e tij personal) dhe nuk ka askënd në kabinetin dhe rrethin e tij që, edhe me druatjen e një vartësi të mjerë, t’ia shprehë pakënaqësinë e tij? Apo, duke qenë se veçse mund ta marrim si të mirëqenë bindjen se presidenti nuk e ka as urtësinë as shpirtmadhësinë që t’i kutpojë veprimet e veta “aksidentale”, po ashtu duhet ta marrim si të mirëqenë bindjen se askush me pak virtyte, përvojë dhe maturi politike, nuk do të pranonte në asnjë mënyrë të qëndronte pranë tij, as për ta këshilluar për të mirën e vendit?

Por, ne e dimë, po atë tmerr që përcjell teksti i regjistruar do ta ruante edhe teksti i shkruar. Ajo më sipër ishte vetëm për të thënë se na nevojitet pak më shumë përkorësi dhe urtësi, në cilëndo formë të komunikimit.

Përtej kësaj, unë dua të them se për shoqërinë kosovare (por unë nuk po flas në emrin e saj, vetëm po them bindjen time) është një fatkeqësi skena politike e përgjithshme po aq sa presidenti. Do të kishte me qenë një ngushëllim për t’u mburrur sikur të paktën të kishim pasur, në krahasim me këtë skenë kafshërore politike, një president të matur dhe të paanshëm.