Presidenti veproi sipas kushtetutës! - Gazeta Express
string(35) "presidenti-veproi-sipas-kushtetutes"

Presidenti veproi sipas kushtetutës!

Xhemal Ahmeti

23/04/2020 9:43

Tjerët nuk lexojnë me përpikëri atë. Dokumentet e tilla, si kushtetutat, hiatuse kryesore i kanë foljet modale si; mundet, donë, duhet, detyrohet e të llojit. Gjersa neni 95.5 është i çliruar prej tyre, ai 82.2 konstituohet në bazë të foljes modale: mundet! Gjuha dhe ligjet – përherë në konflikt?

Simon Baron Cohen konstatimet si «femrat mendojnë ndryshe» dhe «meshkujt gjithashtu» i konsideron – edhepse asgjëthënëse në rrafshin individual – si tezë reale nëse këto thuhen nga pozita neutrale, jo-kualifikuese, pra pa motivin që njërën apo tjetrën palë ta sugjerosh si defektuoze e tjetrën si progresive e anasjelltas. Këtë çka thotë Cohen në kuadër të gender-debatit mund ta praktikojmë edhe për doxa-t e çdo lloji, veçanërisht atyre politike: njëra palë thotë se kushtetuta «thotë» të mbahen zgjedhje të reja e tjetra palë thotë se ajo në formë kristaline është në favor të një qeverie të re, pas dështimit të së parës. Fatmirësisht kushtetuta është tekst dhe mund ta lexojmë edhe vetë. Ç’shkruan në të, kur ia heqim prozat partiake anash?

Lexo Edhe:

I.

Sapo morën pushtetin, për të cilin luftuan aq gjatë dhe me të gjitha metodat e mundshme (të lejueshme e ilegale) e humbën atë. Kjo pasoi pas prishjes së marrëveshjes koalicionare nga ana e PVV-së. Ajo shkarkoi ministrat e partnerit të saj dhe mori vendime të ndryshme pa u konsultuar fare me të. Pasi s’mori përgjigje [ashtu siç kërkonte zyre e tij] për asnjërën nga pesë letrat që Presidenti i Republikës së Kosovës ia drejtoi kryeministrit në dorëheqje mblodhi partitë dhe kërkoi pëlqimin e tyre për rikrijimin e një Qeverie të re. Të gjitha u shprehën publikisht se janë dakord. Përveç asaj ende në pushtet.

Pas kësaj manovre të kryeprimatit Thaçi, PVV kërcënon me trazira dhe me ankesa në Gjykatën kushtetuese, ngase beson, tashmë sipas tyre «presidenti ilegal i vendit» shkeli kushtetutën. Ai sipas tyre praktikoi një metodë procedurale që nuk e lejon dokumenti bazë i sistemit politik të vendit: kushtetuta!

Veprimi i presidentit Thaçi, sipas interpretimeve të shumta të atyre që s’janë në partinë e Kurtit, bazohet në Nenin 95. 5  ku thuhet :

«Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë».

Apologjetët e Qeverisë të shkarkuar nga Kuvendi i Republikës  thirren në një paragraf tjetër me të cilin denoncojnë shkeljen nga ana presidenti të kushtetutës. Bëhet fjalë për Neni 82.2 ku shkruan: 

«Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë».

Nëse neni 95.5 nuk është ndonjë fake-news, i depërtuar në dokumentet e shtetit, Presidenti i vendit nuk ka shkelur gjë, por ka vepruar pikërisht në bazë të asaj që thuhet pikërisht aty: Kuvendi shkarkoi qeverinë, ai kërkon mundësitë për një qeveri të re. As formula më perfide hermeneutike e as po të ringjallej Derrida me ndonjë preparat të ri dekonstruksioni nuk e interpreton ndryshe këtë nen përveçse siç është: me një fjalë është nga ato pak tekste brenda dokumentit që parambyll çdo spekulim të mundshëm.

Ndërkaq neni në të cilin thirren avokatët e qeverisë duken si të pakëmbë që duan të ecin pa paterica.  Në nenin 82.2 shkruan: «Kuvendi MUND të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë». Çka nëse ai nuk mundet? Nuk donë të caktoj zgjedhje por të vë në praktikë nenin që vuri? Shkeli kushtetutën? Jo. Siç shihet lartë: Problemi i madh i këtij neni është ajo që ne nënvizuam me kapitale: mundësinë! Është në kompetencat ekskluzive të presidentit që të vendos se a është apo jo e mundshme shpërndarja e Kuvendit, se a është diçka e zbatueshme, duhen zgjedhjet apo jo? Ai thotë që jo. Tjerët s’kanë alternativë tjetër përveç se të sillen konform kushtetutës. Çdo veprim tjetër i penalizon.

II.

Thonë: «Po gjithë kjo qenka që bën presidenti është moralisht e padenjë; prapa aksionit të presidentit qëndron konspiracioni i 75% hajdutëve politikë kundër 25% profetëve që as mizën nuk e shkelin e lere më të mëkatojnë» e të llojit. Gjitha këto pandehje ka «mundësi» të jenë të vërteta, ashtu siç ka «mundësi» të jenë propagandë militantësh që përdhosen saherë që u dështon lideri. Mundësia, kontingjenca mirëpo është brenda ligjërimit të tyre, gjë që e bën pa-skajshmërisht të interpretueshëm doajenë e tyre, por pa afekt për kauzën e tyre. Presidenti veproi sipas kushtetutës, PVV argumenton sipas prozës mbi kushtetutën.

III.

Pse kërcënimet se do të shkaktohen trazira nëse detyrohen të lëshojnë zyrat? Sepse një parti e vetme brenda një demokracie pluraliste donë të vendos vetë për gjithçka pa i pyetur madje as institucionet tjera të shtetit e lere më partnerët? Kush vepron kështu? Sa e moralshme është të organizosh trazira në kohë të pandemisë?

Sido që të mendojnë «gratë» dhe «burrat» e Simon Cohen-it, ata i bën një teksti i Kushtetutës, i cili lejon mandatimin e një qeveri të re dhe nuk i mbyll dyert as mundësisë për zgjedhje të reja – natyrisht po deshi presidenti. Ai që ishte legjitim kur ia dha mandatin PVV-së dhe që është ende i njëjti që ua jep tjerëve.