Presidenti Trump dhe Kosova (II) - Gazeta Express
string(30) "presidenti-trump-dhe-kosova-ii"

Presidenti Trump dhe Kosova (II)

Gazeta Express

23/11/2020 14:23

Marrëveshja e 4 shtatorit në Washington, duhej t’i shërbente ‘përgatitjes së terrenit’, për Marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila duhej të ndodhte gjatë vitit 2021 me ndërmjetësimin amerikan.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Kur në Washington, si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe në State Department, u kuptua që po humbet momentumi, kah Federica Mogherini dhe Brukseli, i arritjes së Marrëveshjes së madhe  (siç quhej shpeshherë), midis Kosovës dhe Serbisë për t’i dhënë fund një konflikti të gjatë historik dhe politik që kishte hyrë tash e sa vite në shekullin e dytë  (në vitin 2012-të), ndodhën veprimin e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Administratës së Presidentit Trump në këtë ndërmarrje ndërkombëtare.

Së pari, Presidenti Trump dhe më pas, edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në Letrat e tyre adresuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vučić, prej dhjetorit të vitit 2018-të e tutje, e bënë fare të qartë se si e sheh Washingtoni epilogun e bisedimeve në mes të dy palëve. Kosova dhe Serbia duhet ta njohin formalisht njëra-tjetrën si dy shtete të pavarura.

Ishte ky realisht një hap i madh para i Administratës Amerikane, i pashoq në komunikimin publik në mes të Washingtonit dhe Beogradit zyrtar që nga 17 shkurti i vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur.

Parisi dhe Berlini zyrtar, megjithë problemeve të njohura në relacionet me Presidentin Trump, do ta mirëprisen këtë qasje eksplicite të Administratës së tij, duke shtuar që Gjermania dhe Franca nuk janë në pozitë që publikisht të komunikojnë kështu me Beogradin zyrtar. Megjithatë, Vučić e dinte fare mirë që ky është pozicion edhe i Presidentit të Francës Emanuel Macron dhe i Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel

Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për Letrat e Presidenit Trump dhe Sekretarit Pompeo, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe askush nga Qeveria e Serbisë me asnjë fjalë nuk e pati komentuar, e lëre që nuk iu pati kundërvënë këtij pozicionimi skajshmërisht të qartë të Administratës Amerikane.

Në anën tjetër, e gjithë skena politike kosovare i pati mirëpritur Letrat e Presidentit Trump dhe të Sekretarit Pompeo, duke këmbëngulur poashtu në një përfshirje të drejtpëdrejtë të Washingtonit zyrtar në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Nuk do të vonoi, sërish në reflektim të një bllokade të plotë të bisedimeve të Brukselit  (kallëzimi i njohur me tarifat dhe pasojat e tyre), kur edhe do të kumtohet involvimi direkt i Administratës Amerikane në ndërmarrjen e bisedimeve në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.

Brenda një periudhe disajavore, në muajt gusht dhe tetor të vitit 2019, së pari Matthew Palmer, Zëvëndës-Asistent Sekretari i Shtetit, do të emërohej Emisar Special i State Departmentit për Ballkanin Perëndimor  (përfshirë këtu edhe dialogun e Prishtinës dhe Beogradit), teksa më pas Richard Grenell, Ambasadori i SHBA-së në Berlin dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Presidenit Trump, do ta merr mandatin e Përfaqësuesit Special të Shtëpisë së Bardhë për këtë dialog.

Nuk mbahej në mend kur Administrata Amerikane kishte bërë një veprim të këtillë karshi një çështjeje ndërkombëtare  (me emërimin e dy Emisarëve Specialë).

Në të vërtetë, diçka e tillë, por për një kohë fare të shkurtër, kishte ndodhë në pranverën e parë të luftës në Kosovë, në vitin 1998, kur njëkohësisht Robert Gelbard dhe Richard Holbrooke e kishin rolin e Përfaqësuesit Special për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Angazhimin e Holbrookut e pati kërkuar vet Presidenti i ndjerë i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, në një Letër të cilën ia pati adresuar Madeleine Albright, Sekretares së Shtetit.

Dihet çka ndodhi më pas: Në skenë mbeti vetëm ’Buldozheri’ Holbrooke, për shkak të dijes dhe përvojës së tij të jashtëzakonshme, i ndihmuar nga Ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Christopher Hill.

Palmer dhe Grenell do ta vizitonin Kosovën në tetorin e vitit të kaluar, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, të cilat sollën një situatë krejtësisht të re në organizimin e pushtetit qendror në Kosovë, me Albin Kurtin dhe ’Vetëvendosjen’ me një mandat për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës, teksa diheshin botërisht qëndrimet aspak të favorshme të Kurtit për dialogun e deritashëm në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që nga periudha e Konferencës Paqësore të Rambouilletit dhe tutje, tek dialogu i Brukselit.

Ky fakt, sikurse edhe koha që rëndom konsumohej në periudhën post-zgjedhore në Kosovë (që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014-të), e që matej me muaj të tërë, në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe në krijimin e Qeverisë së re, nuk ishin aspak në favor të nismës dhe synimeve të Grenellit dhe të Palmerit.

Natyrisht, në vjeshtën e vitit 2019-të, askush në Kosovë dhe në Amerikë, nuk ka mundur të parasheh mbërritjen në Botë të një lëmshi të madh në trajtë të Covid-19, i cili do ta vështirësojë edhe më shumë këtë ndërhyrje amerikane në dobi të arritjes së një Marrëveshjeje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, askush në Prishtinë dhe gjetiu, nuk ka mundur të paramendojë situatën kur Zyra e Prokurorisë Speciale në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë, në fund të qershorit të këtij viti  (2020), me një Komunikatë publike, në të cilën njohtonte që ka dorëzuar Popozim-Aktakuzën për Presidentin Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarin Kadri Veselin, do ta zhbënte Takimin e Washingtonit në mes të Presidentit të Kosovës dhe Serbisë, me nikoqir Richard Grenellin dhe Robert O’Brienin, Këshilltarin për Siguri Kombëtare.

Pra, si rrethanat e brendshme politike në Kosovë, vështirësitë e shumta që përcollën krijimin e Qeverisë Kurti, pastaj ato tjera që kishin të bënin me rënien e saj pas vetëm pesëdhjetë ditëve të themelimit, ashtu edhe ato që përkonin me Dhomat e Specializuara në Hagë, më në fund, edhe këto të tjerat që shfaqnin sundimin brutal të një virusi në gjithë Botën, në tërësinë e tyre ishin faktorë që e bënin të pamundur që Administrata Amerikane e Presidentit Trump, në muajtë e fundit të mandatin të saj, të arrijë një Marrëveshje të madhe në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit.

Për këtë shkak, Richard Grenell, Përfaqësuesi Special i Shtëpisë së Bardhë, u detyrua, megjithëse ky veprim ishte parimisht në pajtim me botëkuptimin e tij të shprehur edhe publikisht në Prishtinë dhe në Beograd, sipas të cilit së pari duhej krijuar një ambient shumë më të favorshëm ekonomik dhe biznesor në Kosovë dhe në Serbi, e pastaj natyrshëm do të mbërrihej te Marrëveshja Politike, që fillimisht, te dy palët t’i bashkojë në Shtëpinë e Bardhë, me qëllim të bërjes së një Marrëveshjeje që më pas do të titullohet si ’Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike’.

Kjo Marrëveshje do të nënshkruhej, në praninë e Presidentit Trump, me 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë.

Nuk ka kurfarë dyshimi që kjo Marrëveshje, e nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, duhej t’i shërbente ‘përgatitjes së terrenit’, siç thuhet, për atë Marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila duhej të ndodhte gjatë vitit 2021.

Në anën tjetër, bërja e një Marrëveshjeje të këtillë, me atë segmentin e njohur që kishte të bënte me relacionet e Kosovës me Izraelin (njohja reciproke, hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem), dhe të Serbisë me Izraelin  (bartja e Ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem), synonte që t’i ndihmonte Presidentit Trump ta merrte mandatin e dytë presidencial në zgjedhjet e 3 nëntorit në garën me sfiduesin e tij nga Partia Demokratike, Joseph Biden.

Dihet se çfarë ndodhi në këto zgjedhje dhe në përballjen e madhe të Joseph Bidenit dhe Donald Trumpit, që solli pjesëmarrjen e paparë të qytetarëve amerikanë në zgjedhjet presidenciale.

Nga perspektiva e tanishme  (e fundit të nëntorit të këtij viti), është vështirë të parashihet se cili do të jetë fati i Marrëveshjes së 4 shtatorit, apo, cila do të jetë qasja e Presidentit Biden dhe të Administratës së tij ndaj saj.

Çfarë mund të konstatohet me një saktësi të plotë  (fatkeqësisht), është që Administrata Amerikane e Presidentit Trump dhe BE-ja (përmes Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherinit, pastaj pasuesit të saj Josep Borrellit), nuk arritën për katër vjet, të ndikojnë në mënyrë thelbësore, që instancat më të larta të Prishtinës dhe Beogradit ta arrijnë Marrëveshjen e madhe politike.

Kësaj radhe, duhet shtuar këtë fakt shumë të rëndësishëm, pra, që në këtë harkun kohor 2016-2020, hise të madhe në dështimin e këtyre përpjekjeve ndërkombëtare kaa pasë edhe vet skena politike kosovare, me gjithë çorodinë e vet të brendshme, me dy palë zgjedhje dhe katër Qeveri dhe Kryeministra, me një rrëmujë dhe përplasje të vazhdueshme, me mungesën e një konsensusi minimal që të bëhet përpjekja për bërjen e kësaj Marrëveshjeje.

Por kjo është një histori e njohur për të gjithë ne.  Për më shumë, si do të mund të thuhej në anglisht, kjo situatë është një ’Work in progress’  (’Punë që vazhdon tutje’).

Nesër: Vlerësimi mbizotërues i vitit 2010, në Washington dhe në Bruksel, i cili s’ka pasë si të mos përkrahet në Prishtinë,  që dialogu i Brukselit do t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë gradualisht, kah një Marrëveshje për njohje reciproke, doli të ishte i paqëndrueshëm.